Pas miratimit të Ligjit nr. 12/2026 “Për Lobimin në Republikën e Shqipërisë”, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nisur punën për hartimin e akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin efektiv të tij.
Procesi po zhvillohet në bashkëpunim me ekspertët e Këshillit të Evropës (KiE) dhe përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit, të cilët po punojnë për përgatitjen e kuadrit rregullator që do të mundësojë funksionimin e regjistrit të lobimit, procedurat administrative, formatet standarde dhe mekanizmat e transparencës e kontrollit të parashikuara në ligj.
Aktualisht janë në proces hartimi disa akte nënligjore, të cilat lidhen me:
• formatet dhe periudhat e raportimit të aktiviteteve të lobimit;
• strukturimin dhe administrimin e Regjistrit të Lobimit;
• procedurat e regjistrimit dhe shqyrtimit të kërkesave;
• kategoritë e dokumentacionit që duhet të ruhen nga lobistët;
• formatin dhe mënyrën e dorëzimit të deklaratave të lobimit;
• procedurat për identifikimin dhe menaxhimin e konflikteve të interesit;
• procedurat dhe afatet për verifikimin e saktësisë së të dhënave të regjistruara.
Këto dokumente janë ende në fazën e draftimit dhe po përpunohen në përputhje me standardet më të mira evropiane në fushën e transparencës dhe integritetit të veprimtarisë së lobimit.
Pas përfundimit të hartimit paraprak, projektaktet do të publikohen për konsultim publik, me qëllim përfshirjen e institucioneve, organizatave të interesit, ekspertëve dhe publikut në procesin e finalizimit të tyre.