Konferenca rajonale për të drejtën e informimit – Korçë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros organizuan në Korçë konferencën rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”. Aktiviteti kishte për qëllim, që në kuadër të riorganizimit të organeve të qeverisjes vendore nga zbatimi i reformës Administrativo-territoriale, të njihte dhe të trajnonte përfaqësuesit e këtyre strukturave, si dhe atyre të institucioneve qendrore në nivel vendor me detyrimet e ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Në këtë Konferencë ishin të ftuar Prefekti i Qarkut, z. Ardit Konomi, Kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, krerë dhe përfaqësues të njësive të tjera të qeverisjes vendore të këtij qarku, përfaqësues të institucioneve qëndore në nivel vendor, të shoqërisë civile, medias, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Besnik Dervishi, teksa vlerësoi nivelin e lartë të pjesëmarrjes, theksoi se transparenca e Autoriteteve Publike është një domosdoshmëri për një administratë moderne në shërbim të qytetarëve. “Janë reflektuar praktikat dhe eksperiencat më të mira evropiane – tha ndër të tjera Komisionerit, ku e drejta për informim trajtohet bashkarisht me mbrojtjen e të dhënave personale, dy fusha që duhet të vendosin një balancë ndërmjet tyre, që privatësia e individit të mbrohet edhe kur jepet informacion për dokumentacionin zyrtar”.

Z. Dervishi, pasi bëri një panoramë të punës së Zyrës së Komisionerit që prej hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” në nëntor të vitit të kaluar, nënvizoi si mjaft të rëndësishëm procesin e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe opinionit publik për këtë të drejte kushtetuese. Ndërsa, duke përfituar edhe nga rasti i organizimit të kësaj Konference Rajonale, i fton ata që të jenë sa më aktivë në ushtrimin e kësaj të drejte në praktikë.

Në fjalën e tyre përshëndetëse, z. Filo dhe z. Konomi, e cilësuan organizimin e kësaj konferencë si të domosdoshme, në kohën e duhur dhe të frytshme, në mënyrë që të përmbushen plotësisht detyrimet e ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” edhe nga institucionet e qeverisjes vendore.

Zyra e Komisionerit mbajti në këtë aktivitet edhe një prezantim për të pranishmit, të cilët u njohën më në detaje me risitë e ligjit, funksionimin e institucionit dhe me disa raste praktike. Ky prezantim shërbeu edhe si një udhërrëfyes për procesin e trajtimit të kërkesave, duke nënvizuar si një mënyrë shumë efektive të uljes së tyre, krijimin, plotësimin me sa më shumë informacion dhe përditësimin e programit të transparencës.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA