Komisioneri Dervishi takim me Koordinatoren e Përhershme të OKB-së në Shqipëri znj. Ingrid Macdonald

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, priti në takim Koordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, znj. Ingrid Macdonald.

Dervishi prezantoi prioritet dhe angazhimin e institucionit që ai drejton duke u ndalur në mënyrë të veçantë te ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Komisioneri theksoi gjithashtu sfidat që lidhen me zbatimin efektiv të këtij ligji dhe garantimin në praktikë të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

Ai informoi gjithashtu mbi angazhimin ndërkombëtar të Zyrës së Komisionerit, në cilësinë e Presidentit dhe Sekretariatit të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerve për të Drejtën e Informimit (ICIC), si dhe mbi bashkëpunimin periodik me UNESCO-n në kuadër të monitorimit dhe raportimit të progresit për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht “Aksesi publik në informacion”. Në këtë kontekst, ai njoftoi edhe bashkëorganizimin, në muajin shtator, të konferencës vjetore me UNESCO-n me temë: “Ruajtja e integritetit të informacionit në epokën digjitale”.

Nga ana e saj, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, znj. Ingrid Macdonald, vlerësoi rolin dhe kontributin e Zyrës së Komisionerit, duke theksuar rëndësinë e të dhënave, sidomos atyre digjitale, si dhe integritetin e informacionit publik. Ajo nënvizoi rolin e rëndësishëm të institucionit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke evidentuar bashkëpunimin e ngushtë mes OKB-së dhe Bashkimit Evropian në këto fusha.

Gjatë diskutimeve, palët ndanë mendime edhe mbi çështje që lidhen me aksesin në informacion për grupet vulnerabël, sigurinë e të dhënave, digjitalizimin, përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe sfidat që sjellin dezinformimi dhe keqinformimi.

Në përfundim të takimit, Komisioneri Dervishi shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me OKB-në, veçanërisht në drejtim të rritjes së kapaciteteve institucionale dhe mbështetjes teknike, në funksion të përgjegjësive të shtuara ligjore të institucionit.

Nga pala e Zyrës së Komisionerit në takim morën pjesë znj. Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit, dhe znj. Emerlinda Pema, Drejtore e Monitorimit të Programeve të Transparencës, ndërsa nga Zyra e OKB-së ishte e pranishme znj. Sidita Zaja, Specialiste e të Drejtave të Njeriut.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë