Konferenca rajonale në Durrës për të drejtën e informimit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi në Durrës konferencën rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”.

Në këtë aktivitet morën pjesë z. Vangjush Dako, Kryetar i Bashkisë së Durrësit; z. Roland Xhelilaj, Prefekt i Qarkut; përfaqësues nga njësitë e tjera të qeverisjes vendore të qarkut; organet e drejtësisë; institucionet qendore në nivel vendor; shoqëria civile; media, etj. Konferenca të tilla rajonale janë zhvilluar në të gjithë territorin e vendit.

Z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij vlerësoi risitë që ka sjellë ligji “Për të drejtën e informimit” në ndryshimin e mentalitetit dhe kulturës së administratës publike. “Zyra e Komisionerit e konsideron të rëndësishëm angazhimin e institucioneve shtetërore dhe bashkëpunon me to për adresimin e problematikave që ndeshen gjatë zbatimit të ligjit“. Sipas Komisionerit, “ka ardhur koha që programet e transparencës të përmirësohen për të reflektuar specifikat e Autoriteteve Publike. Njëkohësisht, duhet të forcohet roli i koordinatorit për të drejtën e informimit në përmbushjen e plotë të detyrimeve në procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve“.

Zyra e Komisionerit mbajti një prezantim për të pranishmit duke i njohur ata në mënyrë integrale me komponentët e këtij ligji, me funksionimin e Autoritetit dhe me disa raste praktike. Prezantimi shërben edhe si një udhërrëfyes në procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve. Ndërsa, u vlerësua me rëndësi hartimi, plotësimi me sa më shumë informacion dhe përditësimi i programit të transparencës nga Autoritetet Publike.