|

“Horizonte të reja” – Konferenca Evropiane e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave

Konferenca Evropiane e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale miratoi Rezolutë për të nxitur vendet nënshkruese të Konventës 108 të Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale” për modernizimin e saj në një kohë sa më të shpejtë. Kjo Konventë, palë e të cilës është edhe Shqipëria, është dokumenti themelor që përcakton detyrimet e qarta ligjore në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në Evropë.

Të mbledhur në Qipro, në datat 27-28 prill, nën moton “Horizonte të reja”, 63 Autoritete kombëtare dhe Organizata të akredituara në këtë Konferencë, si dhe 6 të tjera me statusin e vëzhguesit, diskutuan për zhvillime dhe çështje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së privatësisë. Hyrja në fuqi në maj të vitit 2018 e Rregullores së re të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale në vendet anëtare të BE hap një perspektivë të gjerë për standarde më të larta në këtë drejtim. Aktualisht, po punohet në hartimin e udhëzuesve të posaçëm për adresimin e të gjithë problematikave për zbatimin e unifikuar të Rregullores. Një vëmendje e posaçme në diskutime, iu kushtua procesit të informimit të publikut me këtë dokument dhe rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për garantimin e të drejtave të tyre.

Në Konferencë u trajtuan me prioritet edhe çështje që kanë të bëjnë me transparencën dhe llogaridhënien nga ofruesit e shërbimeve Cloud, duke marrë në konsideratë përdorimin masiv të internetit dhe zhvillimin teknologjik në këtë sektor. Të pranishmit shkëmbyen eksperiencën për praktika më të mira për kontrollin dhe aksesin efikas gjatë lëvizjeve kufitare të të dhënave personale. Ndërsa, u kërkua forcimi i instrumentave mbrojtëse në përdorimin e të dhënave sensitive mjekësore (gjenetike/ADN) në përgjithësi, por dhe në rastet kur ato shfrytëzohen nga agjenicitë ligjzbatuese. Anëtarët e Konferencës Evropiane miratuan ndryshimet e propozuara në Rregulloren e funksionimit të saj, për konsolidimin e pozicionit të këtij forumi si ndër pikat e referimit në trajtimin e problematikave të fushës së privatësisë.

Zyra Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si mikpritëse e edicionit të vitit 2018 të Konferencës, mbajti një prezantim ku i njohu të pranishmit me modalitetet e organizimit të saj. Zhvillimi i këtij aktiviteti, për herë të parë në vendin tonë, është një mundësi unike jo vetëm për Autoritetin dhe shoqërinë shqiptare, por në përgjithësi për rajonin e Ballkanit perëndimor, për trajtimin e fushës së mbrojtjes së të dhënave personale si një shembull konkret integrimi.

Konferenca Evropiane e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave – Albania 2018