3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Seancë dëgjimore në zbatim të legjislacionit për njoftimin dhe konsultimin publik

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përmbushje të detyrimeve të ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” zhvilloi seancë dëgjimore për ankesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ndaj Ministrisë së Zhvillimit Urban. Objekt i shqyrtimit të saj ishte “cenimi i të drejtës për njoftim dhe konsultim publik për projekt-ligjin “Për strehim social”.

Ankuesi pretendon se ministria nuk e ka publikuar aktin në “Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike” dhe se institucioni nuk i ka përmbushur plotësisht detyrimet e nenit 11 të ligjit 146/2014. KSHH në ankesë pretendon, gjithashtu, se organi publik nuk e ka realizuar njoftimin në përputhje me këtë ligj, për të garantuar një proces gjithëpërfshirës. Ndërsa, pretendohet se nuk është respektuar afati kohor brenda të cilit duhet të dërgoheshin komentet dhe sugjerimet e subjekteve të interesuara.

Zyra e Komisionerit konstaton se përgjithësisht respektohen detyrimet e ligjit 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Ky dokument është një instrument i rëndësishëm për ndryshimin e mentalitetit dhe kultivimin e kulturës së transparencës dhe llogaridhënies së Autoriteteve Publike, për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Në seancë dëgjimore, palët dhanë shpjegime konkrete për çështjen në shqyrtim dhe u shpreh gatishmëria për plotësimin e mangësive në një kohë të shkurtër. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, në përputhje me procedurën ligjore do të dalë me vendimmarrjen përkatëse.