28 Shtator – Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për Informim

28 shtatori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për Informim. Kjo ditë përkon edhe me 3-vjetorin e miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Zbatimi i tij është sfidë për të gjitha Autoritetet Publike për të kultivuar kulturën e transparencës ndaj publikut. Autoritete homologe dhe organizata jo fitimprurëse e kremtojnë atë duke organizuar aktivitete dhe nisma që promovojnë këtë të drejtë, si dhe nxisin përmirësimin e kuadrit rregullator për zbatimin e saj.

Me këtë rast, Zyra e Komisionerit ka krijuar një poster ndërgjegjësues i cili simbolizon lulen e mirëqeverisjes. Posteri vendoset sot në faqet zyrtare të internetit dhe rrjeteve sociale të Autoriteve Publike për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me ushtrimin e të drejtës së tyre për informim.

Që nga miratimi i ligjit në shtator të vitit 2014, qytetarët shqiptarë kanë paraqitur pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale 1407 ankesa, ku vetëm në 9-mujorin e fundit janë trajtuar 423 ankesa, të cilat në 90% të rasteve janë zgjidhur në favor të qytetarëve shqiptarë.