|

“Lidhim Perëndimin me Lindjen për Mbrojtjen dhe Respektimin e Privatësisë së të Dhënave”

Me moton “Lidhim Perëndimin me Lindjen për Mbrojtjen dhe Respektimin e Privatësisë së të Dhënave – Connecting West with East in Protecting and Respecting Data Privacy” u zhvilluan punimet e Konferencës së 39-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC).

Në këtë aktivitet u miratuan 3 dokumenta të rëndësishme. Ata janë: “Rezoluta për mjetet e automatizuara dhe të ndërlidhura”; “Rezoluta për bashkëpunimin ndërkombëtar të agjencive ligjzbatuese” dhe “Rezoluta për bashkëpunimin në mbrojtje të konsumatorëve”, akte të cilat unifikojnë standardet mbikëqyrëse në këto fusha të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave. Në sesionin e mbyllur të Konferencës u trajtua si çështje kryesore “Shkëmbimi i të dhënave personale nga institucionet shtetërore – sidomos ato sensitive, për të parandaluar diskriminimin dhe për të menaxhuar riskun”. Përfaqësues të Autoriteteve, agjencive të ndryshme qeveritare, shoqërisë civile, botës akademike dhe sektorit privat diskutuan për aspekte dhe eksperienca të ndryshme të grumbullimit, përpunimit dhe shkëmbimit të të dhënave; anën etike të këtij procesi; interesin publik; rritjen e transparencës dhe parandalimin e problematikave në fushën sociale.

114 Autoritetet e Konferencës votuan unanimisht për pranimin e 5 Agjencive të reja, për disa ndryshime të Rregullores së funksionimit të këtij forumi, si dhe zgjodhën anëtarët dhe kreun e ri të Komitetit Ekzekutiv. Po ashtu u miratuan raportet e punës 1-vjeçare të Grupeve të Punës në “Edukimin Digjital” – ku Zyra e Komisionerit ka dhënë kontributin e saj, “Indikatorët e Mbrojtjes së të Dhënave”, “Privatësia dhe Aksionet Humanitare”, “Bashkëpunimi Ndërkombëtar mes Agjencive Ligjzbatuese” dhe “E Ardhmja e Konferencës”. U miratua unanimisht politika e re e Komitetit Ekzekutiv, në caktimin njëkohësisht të organizatorëve të 2 Konferencave të rradhës. Respektivisht, edicioni i 40-të do të bashkëorganizohet nga Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtes së të Dhënave (EDPS) dhe Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Bullgarisë, në tetor të vitit 2018. Ndërsa, edicioni i 41-të i është besuar për t’u organizuar Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale në Tiranë, në vjeshtën e vitit 2019.

Në sesionin e hapur të Konferencës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve e të ftuarve nga institucione, bota akademike, organizata jo fitimprurëse dhe kompani nga i gjithë globi, iu kushtua vëmendje krahasimit të modeleve të ndryshme mbikëqyrëse ligjore; përmirësimit të bashkëpunimit ndërkombëtar brenda dhe mes kontinenteve, apo përpunimit të të dhënave në mjedisin digjital. Konferenca Ndërkombëtare, tashmë prej 4 dekadash, është lideri i politik-bërjes në fushën e privatësisë dhe pikë referimi në krijimin dhe përmirësimin e standardeve për mbrojtjen dhe trajtimin ligjor të të dhënave personale.