3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Fushata “Privatësi dhe Siguri”, konsultimi i “Kuadrit të aftësimit të mësuesve për mbrojtjen e të dhënave personale”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale po zhvillon fushatën ndërgjegjësuese “Privatësi dhe Siguri” në institucionet e arsimit 9-vjeçar. Qëllimi i saj është konsultimi i “Kuadrit të aftësimit të mësuesve për mbrojtjen e të dhënave personale”. Pjesë e takimeve të zhvilluara deri tani në qarqet e Dibrës, Kukësit, Shkodrës, Lezhës, Gjirokastrës, Elbasanit dhe në zonën e Sarandës, kanë qënë mësues të lëndëve të edukatës shoqërore, TIK dhe psikologë.

“Kuadri i aftësimit” është një dokument me 9 parime kryesore për edukim të përgjegjshëm dhe për të rritur sigurinë në mjedisin digjital. Mësuesit marrin njohuritë bazë për mbrojtjen e privatësisë: legjislacionin e fushës; për qëllimin, mënyrat dhe mjetet e përpunimit të të dhënave personale; të drejtat në rastet e keqpërdorimit të tyre; çështjet që kanë të bëjnë me aspekte teknike të sigurisë së të dhënave, etj. Fushata ndërgjegjësuese po zhvillohet me kontributin dhe mbështetjen e Drejtorive dhe Zyrave Arsimore. “Kuadri i aftësimit” u miratua në 2016 në Konferencën e 38-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC). Ai është hartuar nga Grupi i Punës për Edukimin Digjital (DEWG), pjesë e të cilit është edhe Zyra e Komisionerit. Ky dokument synohet që të përfshihet në të ardhmen në kurrikulën e arsimit 9-vjeçar.