3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave, ndikimi në vendet kandidate për anëtarësim në BE

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Instrumentin e Asistencës Teknike për Shkëmbimin e Informacionit të Bashkimit Evropian (TAIEX), në datat 14-15 nëntor 2017, organizojnë trajnimin me temë “Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, ndikimi në vendet kandidate për anëtarësim në BE”. Në këtë aktivitet i ftuar si lektor është z. Tino Naumann, përfaqësues i Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të landit të Saksonisë në Gjermani. Në trajnim marrin pjesë stafi i Zyrës së Komisionerit, si edhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit; Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike; Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit.

Trajnimi fokusohet në risitë që sjell Rregullorja në raport me legjislacionin e BE në fuqi dhe në marrëdhëniet me palë të treta. Ndër temat kryesore që do të trajtohen janë ato të zgjerimit të kompetencave të Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave dhe rolit të tij në procesin e certifikimit të kontrolluesve; procedurat e realizimit të hetimeve të përbashkëta; forcimi i rolit të “oficerit të mbrojtjes së të dhënave”, apo “e drejta për t’u harruar”. Aspekte të rëndësishme të trajnimit janë “transferimi ndërkombëtar i të dhënave”, rritja e kontrollit dhe marrëdhëniet që krijohen me vendet në proces anëtarësimi në BE; si edhe forcimi i sanksioneve si një masë parandaluese për të minimizuar shkeljen e ligjit. Së bashku me Rregulloren, është miratuar edhe Direktiva e re për transferimin e të dhënave për qëllime të hetimit policor apo gjyqësor, e cila, gjithashtu, është pjesë e këtij trajnimi.

Prej 25 majit 2018, Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave Personale në të gjitha vendet anëtare të BE do të jetë akti kryesor rregullator. Legjislacioni i ri standardizon dhe unifikon praktikën në trajtimin e problematikave në këtë fushë, duke u garantuar kontroll më të madh qytetarëve mbi të dhënat e tyre personale.