28 Janari – Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

Sot është 28 Janari – Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe në kuadër të kremtimit të kësaj date, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale prezantoi pullën e emetuar nga Posta Shqiptare. Ceremonia për prezantimin e pullës është aktiviteti kulmor me këtë rast dhe u zhvillua në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Z. Besnik Dervishi vlerësoi se “28 Janari është një ditë e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ndërgjegjësimi i qytetarëve është një nga detyrat kryesore të Autoritetit për të mbikëqyrur me efektivitet zbatimin e legjislacionit në këtë fushë. Shpreh vlerësimin për bashkëpunimin që Zyra e Komisionerit ka patur me Komisionin Shtetëror të Pullës Postare, ish-Ministrin e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Postën Shqiptare”.

Znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nënvizoi se “Zyra e Komisionerit po bën një punë shumë të mirë për nxitjen e qytetarëve në ushtrimin e të drejtave të tyre. Kuvendi i Shqipërisë do e mbështesë akoma edhe më shumë këtë Autoritet për konsolidimin e bazës ligjore dhe me burimet e nevojshme për mbikëqyrjen e zbatimit të akteve rregullatore”.

Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, z. Laert Duraj, në fjalën e tij tha se “çdo pullë është një histori, dhe jam i lumtur që Posta Shqiptare është sot në këtë aktivitet të rëndësisë kombëtare”.

Piktori Artion Baboçi, dizenjuesi i pullës, përgëzoi Zyrën e Komisonerit për zhvillimin e këtij aktiviteti promovues.

Ceremoninë e përshëndeti edhe z. Nexhmedin Dumani, Rektor i Universitetit Mesdhetar, i cili tha se “bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit dhe ekspertiza e këtij Autoritetit janë të nevojshme për edukimin e brezit të ri me parime të shëndetshme për një shoqëri demokratike”.

Pulla postare “28 Janari – Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale” është një iniciativë e Zyrës së Komisionerit dhe përfaqëson në të gjithë elementët e saj konceptin e mbrojtjes së privatësisë dhe sidomos, marrëdhënien që ka sot individi me teknologjinë. Komisioni Shtetëror vlerësoi kërkesat dhe sugjerimet e Zyrës së Komisonerit dhe e përfshiu pullën në tematikat e parashikuara për t’u emetuar gjatë vitit 2017. Dizajni fitues në konkursin e realizuar nga Posta Shqiptare i përket piktorit Artion Baboçi. Pulla “28 Janari – Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale” ka dalë për herë të parë në qarkullim në 28 dhjetor 2017. Ajo ka përmasa 40×30 mm dhe emisioni përbëhet vetëm nga një pullë me vlerë 2500 lekë.

Këshilli i Evropës miratoi në vitin 1981 Konventën 108 “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”. Ndërsa, në vitin 2006, Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës vendosi kremtimin e “Ditës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale” çdo 28 janar, pasi në këtë datë Konventa 108 e KiE u hap për nënshkrim nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate. Shqipëria e ratifikoi Konventën 108 dhe Protokollin Shtesë të saj në vitin 2004. 28 Janari kremtohet tashmë në shkallë botërore dhe njihet jashtë Evropës si Dita e Privatësisë.

Në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e Shkollës Dimërore “Informim dhe Privatësi”. Ajo u organizua në datat 25-26 janar 2018 në bashkëpunim me Universitetin Mesdhetar dhe ishte pjesë e aktiviteteve që Zyra e Komsionerit organizon në kuadër të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Në këtë Shkollë morën pjesë 70 studentë dhe staf akademik e administrativ të Universitetit Mesdhetar, si dhe nga universitete të tjera.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë