3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zyra e Komisionerit garante e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në zbatim të Programit të Punës 2018 ka zhvilluar një veprimtari të gjerë për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Respektimi i kësaj lirie dhe të drejtë themelore të njeriut është detyrim për çdo “kontrollues” publik apo privat.

Për periudhën e 6-mujorit të parë të vitit janë trajtuar 75 ankesa nga individë, për shumë aspekte të procesit të grumbullimit, përpunimit, ruajtjes apo shkatërrimit të të dhënave personale. Janë zhvilluar 56 inspektime (mbi bazë ankese) apo hetime administrative (me iniciativën e Autoritetit) në të gjithë vendin. Kontrollet e Zyrës së Komisionerit janë zhvilluar në subjekte që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorë, si: shëndetësia, telekomunikacioni apo shërbimet turistike; në disa shoqëri tregtare financiare të mbledhjes së borxhit; në zyra përmbarimore apo vlerësuesit e pasurive të paluajtshme, etj.

Komisioneri, nga gjetjet e konstatuara, ka dalë në një rast me Urdhër, me 22 Rekomandime dhe  ka marrë 4 Vendime administrative – gjobë. Vendimmarrjen mund ta konsultoni në adresën tonë zyrtare, në menunë Mbrojtja e të dhënave personale/Hetimi Administrativ/Rekomandime – Urdhra – Vendime/2018.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Zyra e Komisionerit një vëmendje të posaçme për këtë periudhë të vitit i ka kushtuar trajnimit të kategorive të ndryshme të “kontrolluesve”. Sidomos, njohja me Rregulloren e re të Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Bashkimin Evropian (e cila hyri në fuqi më 25 maj 2018) ka qenë prioritet. Me këtë qëllim, janë organizuar trajnime si për stafin e Zyrës, ashtu dhe për përfaqësues të kontrolluesve publik dhe privat.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i punës së Autoritetit ka qenë dhënia e rreth 70 opinioneve ligjore për projektakte të natyrës rregullatore të hartuara nga ministritë apo institucione të tjera qendrore, si dhe kërkesa të ardhura nga “kontrollues” të ndryshëm në sektorin publik apo privat.