“E drejta për informim”, Forumi i 3-të Konsultativ Anti-korrupsion

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministria e Drejtësisë organizuan Forumin e 3-të Konsultativ Anti-korrupsion me temë “E drejta për informim”. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të Autoriteteve Publike, të botës akademike, nga organizata të shoqërisë civile dhe media. Forumi është pjesë e agjendës së “Projektit të Binjakëzimit Anti-korrupsion Shqipëri-BE”. Zhvillimi i tij ishte, njëkohësisht, një nga aktivitetet e mbajtura me rastin e “28 Shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim”

Z. Besnik Dervishi prezantoi legjislacionin për të drejtën e informimit, risitë dhe sfidat e tij dhe rolin mbikëqyrës të Zyrës së Komisionerit. “Në këta 4 vjet, vlerësojmë se institucionet shtetërore kanë bërë përpjekje të dukshme për përmbushjen e detyrimeve të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Reforma për ndryshimin e mentalitetit të administratës publike është po aq me rëndësi sa edhe reforma në sistemin e drejtësisë. Përmirësimi i ligjit është rruga drejt standardeve më të larta për garantimin e transparencës dhe llogaridhënies së Autoriteteve Publike” – tha Komisioneri.

Znj. Teuta Vodo, zëvendësministër i Drejtësisë, nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të takimit. Ajo tha se Qeveria është e angazhuar maksimalisht në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke përfshirë edhe zbatimin e masave anti-korrupsion.

Në Forum, znj. Ersida Sefa, përfaqësuese e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, diskutoi për temën “E ardhmja digjitale e të drejtës për informim”. Znj. Eralda Met’hasani Çani, përfaqësuese e botës akademike, prezantoi risitë e “Kodit të Procedurave Administrative në raport me të drejtën e informimit”. Ndërsa, z. Njazi Jaho, këshilltar ligjor pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit foli për marrëdhënien e qytetarit me këtë të drejtë dhe liri themelore. Në takim, diskutuan edhe znj. Rovena Sulstarova, përfaqësuese e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, për transparencën e organeve të vetëqeverisjes vendore; si dhe znj. Kristina Voko, nga BIRN Albania, për raportin e medias me të drejtën e informimit.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë