Takim i Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare (ICDPPC)

Komiteti Ekzekutiv i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC), zhvilloi në datat 20-22 mars mbledhjen e parë për vitin 2019. Në këtë takim u diskutua për çështjet e parashikuara në agjendë: e ardhmja e Konferencës dhe raportet me partnerët e jashtëm; marrëdhëniet dhe përfaqësimi i Konferencës në forumet e tjera të rëndësishme të fushës dhe jo vetëm; u informuan anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për ecurinë e veprimtarisë së Grupeve të posaçme të Punës; u miratua ngritja e bazës së të dhënave për bashkëpunimin dhe ndërveprimin ndërkombëtar ligjzbatues mes Autoriteteve të fushës; u vlerësua krijimi i “Indeksit global të privatësisë” dhe indikatorëve të tij matës; u shqyrtuan modalitetet e reja të konkurrimit dhe përzgjedhjes së fituesve të “Çmimeve Ndërkombëtare të Privatësisë”. Komiteti Ekzekutiv vlerësoi dhe dakordësoi aspekte të përmbajtjes së Konferencës së 41-të Ndërkombëtare që do të zhvillohet në Tiranë, në datat 21-24 tetor 2019, ndërsa u miratua Plani Strategjik i forumit për periudhën 2019-2021.

Në këtë mbledhje u miratua përbërja e “Komitetit Këshillimor të Programit të Konferencës së 41-të Ndërkombëtare”, i cili do të bashkëdrejtohet nga z. Peter Hustings (ish-Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave dhe ish-kreu i Autoritetit holandez) dhe z. Besnik Dervishi. Në takim u diskutua edhe për drejtimin strategjik të Konferencës Ndërkombëtare. Çështjet që u diskutuan kanë të bëjnë me “Evoluimin drejt politikave”, “Standardet dhe modelet globale”, “Bashkëpunimin në zbatimin e ligjit dhe shkëmbimin e praktikave të mira”, “Të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen sociale”, “Qeverisjen e ekonomisë dhe ekonomia digjitale”, “Të drejtat demokratike dhe proceset politike” dhe “Përforcimi i qeverisjes së të dhënave në nivel kombëtar”.

Komiteti Ekzekutiv është forumi drejtues i Konferencës Ndërkombëtare (ICDPPC) dhe drejtohet nga znj. Elizabeth Denham, Komisionere e Informacionit të Britanisë së Madhe. Anëtarë të tij janë z. Daniel Therrien, Komisioner i Kanadasë; znj. Angelene Falk, Komisionere e Australisë; z. Giovanni Buttarelli, Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave; z. Ventislav Karadjov Komisioner i Bullgarisë, znj. Marguerite Ouedraogo Bonane, Komisionere e Burkina Fasos, z. Raymund Enriquez Liboro, Komisioner i Filipineve dhe z. Besnik Dervishi, Komisioner i Shqipërisë; si dhe kreu i Autoritetit meksikan, z. Francisco Javier Acuña Llamas, në cilësinë e vëzhguesit.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë