Search

Hyn në fuqi “Marrëveshja e Bashkëpunimit” Shqipëri-EUROJUST

Në datën 1 nëntor 2019 hyri në fuqi Marrëveshja për Bashkëpunim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust, duke finalizuar me sukses një proces që ka zgjatur prej disa vitesh. Kjo u bë e mundur nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, veçanërisht, midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ministrisë së Drejtësisë në rolin koordinues dhe nënshkrues të Marrëveshjes dhe me asistencën e Projektit IPA/2017 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”.

Një nga kushtet kryesore të Marrëveshjes së nënshkruar midis palëve në 5 tetor 2018 ishte garantimi i një niveli të mjaftueshëm mbrojtjeje për të dhënat personale gjatë shkëmbimit të informacionit hetimor në kuadër të luftës kundër krimeve të rënda, veçanërisht krimit të organizuar dhe terrorizmit. Zyra e Komisionerit, që prej fillimit të këtij procesi, deri në hyrjen në fuqi të Marrëveshjes ka ofruar kontributin e saj, duke qënë pjesë e takimeve dhe  negociatave të realizuara me Eurojust; asistencë dhe mendim ligjor në lidhje me hartimin e draftit të Marrëveshjes për pjesën e mbrojtjtes së të dhënave personale, mendime mbi aktet rregullatore në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale për institucionet e përfshira në zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, etj.

Por, suksesi më i madh në kuadrin e bashkëpunimit ndërinstitucional që u finalizua edhe me vlerësimin pozitiv të Eurojust, në lidhje me përmbushjen e kritereve për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes ka qënë zbatimi i parashikimeve të Planveprimit midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nënshkruar nga palët në datën 25.02.2019. Prokuroria e Përgjithshme në përmbushje të rekomandimeve të lëna nga Zyra e Komisionerit ndërmori masa konkrete mbi plotësimin dhe sigurimin e kushteve të nevojshme teknike dhe organizative për sigurinë e të dhënave personale dhe realizoi një sërë ndryshimesh në politikat e përpunimit të ligjshëm, të sigurt dhe konfindencial të të dhënave personale në kuadër të plotësimit të kritereve të parashikuara në Marrëveshje.

Në vijim të masave të ndërmarra u realizua edhe misioni përfundimtar monitorues i ekspertëve të Eurojust, i cili rezultoi me një raport vlerësimi pozitiv për arritjet e përbashkëta ndërinstitucionale. Si pasojë e këtij raporti pozitiv u arrit edhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Eurojust dhe pranimi zyrtarisht i Shqipërisë në Eurojust, që konsiderohet një sukses i madh në fushën e bashkëpunimit hetimor dhe me një rëndësi të veçantë për vendin tonë.

Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes, në zbatim të nenit 19 të saj, Zyra e Komisionerit do të vijojë të ketë një rol të rëndësishëm pasi, do të monitorojë gjendjen e zbatimit të dispozitave të kësaj marrëveshjeje mbi realizimin e detyrimeve lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, dhe do të hartojë raportin çdo vit me Oficerin i Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Eurojust.