Transparenca proaktive, monitorim i njësive të vetëqeverisjes vendore

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka monitoruar Programet e Transparencës të njësive të vetëqeverisjes vendore për vitin 2020. Në një seancë dëgjimore të realizuar nëpërmjet platformave online, për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, u trajtuan gjetjet e këtij monitorimi me pjesëmarrjen e kryetarëve apo përfaqësuesve të tyre, si dhe koordinatorëve nga 61 bashkitë e vendit.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka miratuar Programin Model të Transparencës për organet e vetëqeverisjes vendore, i cili është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga 61 bashkitë e vendit prej janarit 2019. Transparenca proaktive nëpërmjet publikimit të informacioneve në Programin e Transparencës kërkon një impenjim të Autoriteteve Publike për ta përditësuar dhe plotësuar atë me informacion në mënyrë të vazhdueshme.

Ftoj njësitë e vetëqeverisjes vendore që pasi të njihen me këtë Raport Monitorimi të marrin masat e domosdoshme për përmbushjen e mangësive të evidentuara në të” – vlerësoi Komisioneri, z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij.

Raporti i monitorimit i Zyrës së Komisionerit është bazuar në 4 tregues vlerësimi: publikimi i Programit të Transparencës; publikimi i “Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve” (përditësimi i vitit 2020); të dhënat e koordinatorit për të drejtën e informimit, si dhe instalimi i “Regjistrit elektronik për kërkesat dhe përgjigjet për të drejtën e informimit” (REKPDI). Plotësimi dhe përditësimi i informacionit me karakter publik në Programet e Transparencës, përveçse një detyrim ligjor, është mjaft i rëndësishëm për bashkitë për natyrën e veprimtarisë së tyre në raport me shërbimet dhe informimin e qytetarëve.

Në konkluzion të këtij Raporti, Zyra e Komisionerit thekson se në krahasim me vitin 2019 kemi një rënie të transparencës proaktive tek njësitë e vetëqeverisjes vendore në 3 elementët e parë të metodologjisë së zbatuar. Zyra e Komisionerit do të vlerësojë në vijimësi reagimin e çdo njësie të vetëqeverisjes vendore në lidhje me transparencën proaktive dhe përmbushjen e plotë të detyrimeve ligjore.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë