|

E drejta e informimit për një botë në ndryshim

Në datat 23-24 qershor 2021 u mbajt Sesioni i Mbyllur i Konferencës së 12-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissioners – ICIC).

Me tematikë qendrore “E drejta e informimit për një botë në ndryshim, përdorimi i teknologjisë për të nxitur gjithëpërfshirjen” (Access to information for a changing world, using technology to promote inclusion), më shumë se 120 përfaqësues nga mbi 60 autoritete kombëtare/rajonale anëtare të Konferencës dhe me statusin e vëzhguesit morën pjesë në dy ditët e këtij aktiviteti të zhvilluar virtualisht. Në të u paraqit Raporti Vjetor dhe u raportua për zhvillimet më të fundit në fushën e së drejtës për informim nga të gjitha zonat gjeografike të botës, ndërsa u miratuan këto dokumente të rëndësishme:
   · Strategjia 2021-2024;
   · Manuali i procedurës, që përcakton mënyrën e funksionimit dhe organizimit të Konferencës, Komitetit Ekzekutiv dhe grupeve të punës;
   · Përcaktimi i Komitetit Ekzekutiv si organi që do të zbatojë objektivin e ndryshimit të Kartës së Johanesburgut të 13 marsit 2019;
   · Rezoluta “Dhënia në mënyrë proaktive e informacionit në lidhje me Covid-19” (propozuar nga Australia, Zelanda e Re dhe Kanadaja).

Gjithashtu, u shpallën zyrtarisht edhe rezultatet e zgjedhjeve të para për Komitetin Ekzekutiv me mandat 3-vjeçar, në të cilin bën pjesë dhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Organi më i lartë drejtues i organizatës kryesohet nga Instituti Kombëtar për Transparencën, Informacionin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Meksikës dhe në përbërje të tij janë Zyra e Shërbimeve të Informimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Zyra e Kontrollorit të Përgjithshëm të Brazilit; Këshilli i Transparencës të Kilit; Rregullatori i Informimit të Afrikës së Jugut; Komisioni për Drejtësi Administrative, Avokati i Popullit të Kenias dhe Komisioneri i Informimit të Bermudës. ICIC funksiononte deri tani nën drejtimin e një grupi të përkohshëm, i udhëhequr nga Komisioneri i Informimit të Mbretërisë së Bashkuar, i cili ndërmori reformimin e thellë të organizatës sipas kritereve të Kartës së Johanesburgut.

Në ditën e dytë të Sesionit të Mbyllur pjesëmarrësit diskutuan rreth temës “Partneriteti në kohë pandemie: Reflektime mbi mënyrën se si e ka mbështetur publikun komuniteti i “Aksesit në informacion” në këtë kohë krize dhe vlerësim i sfidave që mbeten për t’u adresuar”. Nga ana tjetër, Sesioni i Hapur i Konferencës Ndërkombëtare është parashikuar të zhvillohet në formën e webinar-eve/trajnimeve online të përmuajshme, deri në fund të vitit 2021.