“Edukimi digjital, luaj dhe mëso – Happy onlife”, Fushata Kombëtare për ndërgjegjësimin e nxënësve

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale përmbylli Fushatën Kombëtare “Edukimi digjital, luaj dhe mëso – Happy onlife”. Kjo iniciativë u zhvillua për ndërgjegjësimin e nxënësve të arsimit 9-vjeçar për lundrimin e sigurt në mjedisin digjital.

Gjatë periudhës tetor-dhjetor 2021 u mbajtën 20 takimet e fazës së tretë në shkolla të qyteteve të Pukës, Fushë Arrëzit, Përrenjasit, Pogradecit, Memaliajt, Tepelenës, Gjirokastrës, Përmetit, Tiranës, Orikumit, Himarës, Sarandës, Delvinës, Fierit, Roskovecit, Vlorës dhe Selenicës. Nëpërmjet lojës “Happy Onlife”, mbi të cilën u bazua ky projekt, nxitet i menduari kritik e analitik për përdorimin e të dhënave personale në rrjet. Në këto takime u bashkëbisedua dhe u ndanë informacione e këshilla praktike për aftësimin e grup-moshës 12-15 vjeç, sidomos, për sjelljet që duhet të përshtatin gjatë përdorimit të rrjeteve sociale dhe parandalimin e fenomeneve negative.

Në këtë projekt, ku në total u mbajtën 55 takime, morën pjesë më shumë se 1000 nxënës të klasave të 6/7/8-ta, si dhe mësues të lëndëve të gjuhës angleze, informatikës apo qytetarisë. Zyra e Komisionerit vlerëson dhe falënderon për bashkëpunimin në koordinimin e realizimit të kësaj Fushate Kombëtare Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe strukturat e saj të varësisë, si dhe partnerët e projektit.