|

Legjislacioni i mbrojtjes së të dhënave personale në Ballkanin Perëndimor

Qendra Kërkimore për Ligjin dhe Digjitalizimin në Fakultetin Juridik të Universitetit të Passaut në Gjermani (University of Passau Faculty of Law’s Research Center for Law and Digitalisation – “FREDI”) organizoi një seri diskutimesh për kuadrin rregullator të mbrojtjes së të dhënave personale në vendet e Ballkanin Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi).

Në këto aktivitete, të zhvilluara virtualisht, morën pjesë përfaqësues të autoriteteve mbikëqyrëse të fushës, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile apo sektorë të ndryshëm të biznesit, akademikë, studiues e studentë. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u përfaqësua në takimin për Shqipërinë me znj. Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit. Në fokus të tij ishte procesi i modernizimit të legjislacionit të mbrojtjes së të dhënave personale duke e përafruar tërësisht atë me GDPR dhe Direktivën e Policisë dhe ndikimi i tij në zhvillimin e ekonomisë. Gjithashtu, të pranishmit u njohën edhe me rolin dhe veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit për monitorimin dhe mbikëqyrjen efektive të legjislacionit në fuqi gjatë viteve të fundit apo rritjen e ndërgjegjësimit për ushtrimin në praktikë të të drejtave të qytetarëve.

Organizimi i këtyre aktiviteteve nga Universiteti i Passaut kishte si qëllim identifikimin dhe krahasimin e qasjeve rajonale dhe kombëtare për zbatimin e kuadrit rregullator të fushës, si dhe përpjekjet për modernizimin e tij sipas modelit evropian.