Transparenca proaktive e Autoriteteve Publike, përmbushje të detyrimeve për forcimin e llogaridhënies

Programi i Transparencës dhe Regjistri i Kërkesave dhe Përgjigjeve janë nga elementët e rëndësishëm të transparencës proaktive dhe tregues i përgjegjshmërisë e llogaridhënies së Autoriteteve Publike. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një takim me koordinatorë të institucioneve qendrore e të varësisë dhe atyre të pavaruara, ku paraqiti problematikat e konstatuara në Raportin mbi “Indeksin e transparencës së autoriteteve qendrore dhe të varësisë 2021”, të publikuar gjatë muajit janar.

Nga monitorimi dhe analiza e situatës, Zyra e Komisionerit vlerëson se kërkohet një dinamikë e re në përmbushjen e detyrave nga koordinatorët apo rritjen e cilësisë së procesit të trajtimit në kohë dhe në objekt të kërkesave për informacion të qytetarëve dhe grupeve të interesit. Njëkohësisht, vëmendje e shtuar duhet t’i kushtohet përditësimit periodik të Programit të Transperencës dhe Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve, duke qenë se përbëjnë nga burimet kryesore për marrjen e dokumentacionit me karakter publik. Në këtë kontekst, informacionet rreth përmbajtjes së shpenzimeve buxhetore, procedurave të prokurimit publik apo auditimeve ndikojnë drejtpërdrejtë në transparencën proaktive të Autoriteteve Publike, si dhe rrisin besueshmërinë dhe llogaridhënien e tyre për publikun.

Praktika e monitorimeve nga Zyra e Komisionerit për gjetjen dhe adresimin e problematikave kanë për qëllim të forcojnë kulturën e ndërgjegjësimit të qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së tyre, si dhe të nxisin Autoritetet Publike të çdo kategorie për respektimin e dispozitave ligjore.