Konsultimi për përmirësimet në ligjin “Për të drejtën e informimit”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bashkëorganizoi me organizatën “Lëviz Albania” tryezën konsultuese për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit””.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe koordinatorë të të drejtës për informim të institucioneve qendrore, të pavaruara e të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në takim u vlerësua ecuria e përgjithshme në përmbushjen e detyrimeve të ligjit 119/2014, në ushtrimin në praktikë të të drejtave të qytetarëve, në nxitjen e kulturës së transparencës dhe në rritjen e përgjegjshmërisë e llogaridhënies së Autoriteteve Publike. Problematikat e konstatuara gjatë zbatimit të tij, por dhe sugjerimet e organizatave të shoqërisë civile sollën domosdoshmërinë e përmirësimeve/ndryshimeve në legjislacion. Ndër më kryesoret janë:

  – konsolidimi i rolit, funksioneve dhe kompetencave të Zyrës së Komisionerit;
– krijimi i një Bordi Këshillimor si një mekanizëm rekomandues mbi zbatimin sa më të drejtë dhe gjithëpërfshirës të ligjit;
– përfshirja në Programin e Transparencës të vendimmarrjes së organeve të prokurorisë për veprat penale që kanë interes të lartë publik;
– mundësinë e sanksionimit të personit përgjegjës për refuzimin e dhënies së informacionit, përveç rasteve kur përgjegjës është koordinatori;
– përfitimin e një shtesë page për natyrë të veçantë pune për koordinatorin për të drejtën e informimit.

Në këtë tryezë u diskutua gjerësisht për propozimet në projektligj me synim shtrirjen e konsultimit në nivel teknik dhe zgjerimit të pjesëmarrjes së aktorëve/grupeve të interesit në këtë proces.