Plani i Integritetit 2022-2025, instrument përgjegjshmërie dhe transparence për publikun

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka miratuar Planin e Integritetit të institucionit për periudhën 2022-2025. Ky dokument u hartua në kuadër të Projektit “Forcimi i integritetit për përmirësimin e shërbimeve publike”, zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Tiranë. Integriteti i institucioneve publike përbën një nga parimet më të rëndësishme të qeverisjes së mirë dhe është një nga treguesit e mirëfunksionimit të demokracisë. Zyra e Komisionerit bëhet autoriteti i parë në kategorinë e institucioneve të pavarura që ka në zbatim një Plan Integriteti.

Në takimin e organizuar me këtë rast, që përkoi me aktivitetet në kuadër të 28 Shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim, morën pjesë Zv/ambasadore dhe Shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim të përfaqësisë diplomatike suedeze, znj. Petra Burcher dhe Drejtori Ekzekutiv i IDM, z. Sotiraq Hroni. Komisioneri, z. Besnik Dervishi, theksoi se Plani i Integritetit përveçse është një dokument në funksion të përmirësimit të veprimtarisë së institucionit, përbën një instrument shumë të rëndësishëm për të matur përgjegjshmërinë, transparencën dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve.

Plani i Integritetit është i bazuar në tre shtylla kryesore: forcimin periodik të kapaciteteve profesionale dhe administrative të Zyrës së Komisionerit; modernizimin e legjislacionit parësor dhe dytësor të fushave të përgjegjësisë, si dhe realizimin e procesit të digjitalizimit të plotë të arkivës së institucionit. Ky dokument përbën qasjen e përgjithshme të autoritetit në marrëdhëniet me qytetarët, shoqërinë civile, grupet e interesit, median për akses në informacionin publik, transparencë të lartë aktive dhe proaktive, mbrojtjen e të dhënave personale, etikë, mirëadministrim të burimeve (njerëzore e financiare), pasi integriteti konsiderohet si një element kyç i shtetit të së drejtës. Për përmbushjen e plotë të parashikimeve ky dokument shoqërohet me një plan veprimi me hapa, masa dhe afate konkrete.

Planin e Integritetit e konsultoni këtu.