Strategjia Institucionale 2022-2025, për garantimin praktik të të drejtave të qytetarëve

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale prezantoi Strategjinë Institucionale 2022-2025, në përmbyllje të procesit të konsultimit publik për këtë dokument të rëndësishëm të autoritetit. Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast morën pjesë titullarë dhe koordinatorë për të drejtën e informimit të autoriteteve publike qendrore dhe të pavarura, persona të kontaktit për mbrojtjen e të dhënave personale nga kontrollues publik e privat, përfaqësues të shoqatave të biznesit, të organizatave të shoqërisë civile dhe medias.

Në fjalën e tij, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, vlerësoi se përmbushja e detyrimeve rregullatore nuk mund të kuptohet pa pavarësinë institucionale dhe instrumentet e domosdoshme për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve. “Tashmë autoriteti ka hyrë në një cikël tjetër, i cili lidhet ngushtë me legjislacionin e ri të miratuar këtë vit dhe ato akte që janë në proces e pritet të miratohen. Përmirësimet në ligjin për të drejtën e informimit synojnë adresimin e problematikave të identifikuara gjatë zbatimit të tij. Për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, kuadri rregullator përbën një revolucion dhe ndërthuret me kontributet në procesin e integrimit të vendit në BE” – theksoi ai.

Në këtë takim, të ftuar nderi ishin znj. Elisa Spiropali, Ministër Shteti për Marrdhëniet me Parlamentin, znj. Klotilda Bushka, Kryetar i Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë dhe z. Alexis Hupin, Zv/Ambasador i Delegacionit të BE. Në fjalën e tyre ata nënvizuan rolin e Zyrës së Komisionerit në funksion të garantimit praktik të të drejtave të individit dhe shprehën mbështetje për forcimin e kapaciteteve në këtë fazë të re institucionale.

Strategjia Institucionale 2022-2025 është hartuar në vlerësimin integral e të kombinuar të kuadrit ligjor në fuqi me atë të modernizuar që pritet të miratohet për të dy fushat e përgjegjësisë. Po ashtu, janë marrë në konsideratë edhe rekomandimet/raportet nga organizma evropiane/ndërkombëtare që mbështesin shtetin shqiptar në arritjen e standardeve bashkëkohore për garantimin e të drejtave të qytetarëve, funksionimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit. Strategjia Institucionale parashikon objektiva konkretë për secilën fushë, me masa e aktivitete të qarta, si dhe shoqërohet nga Plani i Veprimit. Strategjia është hartuar me asistencën e ekspertëve të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis-in e Bashkimit Evropian”.

Strategjia Institucionale 2022-2025