Zbatimi i të drejtave të qytetarëve në veprimtarinë e administratës tatimore dhe asaj doganore

Përmbushja e detyrimeve rregullatore në fushën e të drejtës për informim dhe atyre për mbrojtjen e të dhënave personale forcon kulturën e integritetit dhe llogaridhënies në ushtrimin e funksioneve nga administrata tatimore dhe ajo doganore.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Qendrën e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore në Ministrinë e Financave, për 4 ditë me rradhë, zhvilluan trajnime me pjesëmarrjen e më shumë se 60 nëpunësve të nivele dhe strukturave të ndryshme qendrore dhe vendore, të këtyre institucioneve. Në fokus të aktivitetit ishte njohja e zgjeruar e legjislacionit në fuqi për të dy fushat e përgjegjësisë të Zyrës së Komisionerit, roli e funksionet e saj, si dhe zbatimi i këtij kuadri rregullator në raport me veprimtarinë e administratës tatimore dhe asaj doganore. Vëmendje iu kushtua, nëpërmjet shqyrtimit të rasteve specifike të shqyrtuara nga autoriteti ndër vite, forcimit të transparencës proaktive të këtyre institucioneve, trajtimit të dy të drejtave në balancë me njëra-tjetrën, si dhe masave tekniko-organizative për nivel të lartë sigurie në përpunimin e të dhënave përsonale. Në optikën e zhvillimit teknologjik dhe digjitalizimit të shërbimeve kërkohet ndërveprim me përgjegjshmëri e transparencë me qytetarët apo grupet e interesit, për krijimin e kushteve optimale të ushtrimit në praktikë të të drejtave të tyre.

Trajnimi u zhvillua në mjediset e Zyrës së Komisionerit nga znj. Besa Velaj Drejtor i Kabinetit, znj. Elona Hoxhaj, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtën e Informimit dhe znj. Pjerina Gaxha, Drejtor i Përgjithshëm për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Autoriteti është i gatshëm për të zhvilluar trajnime të kësaj natyre edhe me institucione të tjera të rëndësishme të administratës shtetërore/publike, për njohjen me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në funksion të përmirësimit të veprimtarisë së tyre.