“Dita e Transparencës” në Peshkopi me Autoritete Publike të qarkut të Dibrës

Transparenca është faktor në përmirësimin e qeverisjes dhe forcon besimin e qytetarëve te institucionet publike. Në kuadër të nismës “Ditët e Transparencës”, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me ambasadën e Britanisë së Madhe në Shqipëri, zhvilluan takimin e 6-të në qytetin e Peshkopisë me autoritete publike të qarkut të Dibrës.

Në aktivitet morën pjesë Komisioneri, z. Besnik Dervishi, z. Alastair King-Smith, Ambasador i Britanisë së Madhe, z. Nexhbedin Shehu, Prefekt i Qarkut, z. Rahim Spahiu, Kryetar i Bashkisë Dibër, deputetë, drejtues/përfaqësues të njësive të tjera të vetëqeverisjes vendore të qarkut, të institucioneve të sistemit të drejtësisë, prokurorisë, Policisë së Shtetit, strukturave rajonale të institucioneve të varësisë dhe koordinatorët e tyre për të drejtën e informimit. Në këtë aktivitet u vlerësua dhe u diskutua për ecurinë e përmbushjes së detyrimeve të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, për garantimin e ushtrimit të kësaj të drejte dhe nxitjen e transparencës proaktive e llogaridhënies së institucioneve publike. Zbatimi i kuadrit rregullator të fushës ndikon, njëkohësisht, edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrohen për qytetarët. Nga monitorimi në vijimësi dhe analizimi i situatës, Zyra e Komisionerit konstaton domosdoshmërinë për efektivitet më të madh në përditësimin e të gjithë elementeve përbërëse të Programit të Transparencës dhe Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve. Nga ana tjetër, u kërkua angazhim maksimal për rritjen e cilësisë së procesit të trajtimit të kërkesave për informacion nga qytetarët apo grupet e interesit, si dhe të forcohet bashkëpunimi me ta për kultivimin e kulturës së transparencës.