Nëpunësi për mbrojtjen e të dhënave personale, roli dhe veprimtaria e tij

Rrjeti i nëpunësve për mbrojtjen e të dhënave personale” është platforma e komunikimit, bashkëpunimit dhe e ndarjes së praktikave të mira në funksion të garantimit të të drejtave të qytetarëve. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi aktivitetin për lançimin e këtij “Rrjeti”. Në këtë takim morën pjesë mbi 110 përfaqësues nga institucione qendrore e të pavaruara, apo kontrollues publik e privat që e ushtrojë veprimtarinë e tyre në fusha e sektorë si ai i telekomunikacionit, bankar e financiar, i sigurimeve, i shëndetësisë, arsimit, turizmit dhe shërbimeve të ndryshme.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rolin që ka “nëpunësi” si një funksion me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara në strukturën e kontrolluesit/përpunuesit. “Zyra e Komisionerit ka mbi dy vjet që organizon takime e trajnime me grupime profesionale apo sektoriale, për vetë rëndësinë që paraqet kuptimi për zbatimin e legjislacionit të fushës, sidomos tani që ky kuadër rregullator do të përafrohet plotësisht me atë evropian, Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR)” – theksoi ai.

Për rolin, funksionet dhe veprimtarinë e “nëpunësit” në kontrollues/përpunues, në optikën e legjislacionit në fuqi, por sidomos të atij të modernizuar të fushës, mbajti një prezantim znj. Pjerina Gaxha, Drejtor i Përgjithshëm i Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Ndër përgjegjësitë kryesore të “nëpunësit” janë ato për mbikëqyrjen e brendshme të përmbushjes së detyrimeve për mbrojtjen e të dhënave personale; për zbatimin e masave tekniko-organizative në këtë proces dhe në mënyrë të veçantë, mbajtjen e dokumentacionit në lidhje me Sistemin e Menaxhimit të Sigurisë së Informacionit (SMSI). Nga ana tjetër, ky funksion angazhohet në monitorimin e vazhdueshëm për përputhshmërinë me aktet ligjore; në vlerësimin e ndikimit në mbrojtjen e të dhënave; informon, këshillon dhe trajnon stafin e kontrolluesit/përpunuesit për të gjitha çështjet që lidhen me këtë fushë brenda organizatës dhe bashkëpunon, ndërvepron dhe shërben si pikë kontakti me Zyrën e Komisionerit.