3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zyra e Komisionerit në “Forumin IX për Zhvillimin e Medias” të organizuar nga OSBE

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në “Forumin IX për Zhvillimin e Medias”, i organizuar nga Prezenca në Shqipëri e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Aktiviteti me tematikë kryesore “Udhërrëfyes për lirinë e medias: Krijimi i rrugës për më tepër mbrojtje të gazetarëve, pavarësi dhe integritet të medias”, mblodhi së bashku përfaqësues të subjekteve mediatike, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile.

Përfaqësuesi i Zyrës së Komisionerit i njohu të pranishmit me kuadrin rregullator në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe detyrimet për zbatimin e tij në funksion të veprimtarisë së medias për informimin e publikut. Së shpejti, pritet të miratohet dhe ligji i ri që transpozon plotësisht Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR), i cili do të përmirësojë akoma edhe më shumë standardet për respektimin e kësaj të drejte të qytetarëve. Në këtë frymë, edhe subjektet mediatike duhet të përshtasin mekanizmat e funksionimit të tyre, sidomos në epokën digjitale, për të garantuar balancë dhe harmoni mes informimit dhe garantimit të të drejtave individuale.

Diskutimet gjatë Forumit u përqendruan në rëndësinë thelbësore të transparencës, aksesit në informacion dhe verifikimit të fakteve, si mjete të fuqishme në luftën kundër korrupsionit dhe në përparimin e gazetarisë profesionale.