Takim me studentë të FD, të informuar e ndërgjegjësuar për respektimin e të drejtave të qytetarëve

Takim me studentë të FD, të informuar e ndërgjegjësuar për respektimin e të drejtave të qytetarëve

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mikpriti në një takim njohës e ndërgjegjësues një grup studentësh të Departamentit të Drejtësisë Publike të Fakultetit të Drejtësisë (FD) në Universitetin e Tiranës.

Qëllimi i tij ishte informimi mbi rolin, funksionet dhe veprimtarinë e një prej tre institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, siç është Zyra e Komisionerit. Në këtë takim, i zhvilluar në formën e bashkëbisedimit të lirë, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, paraqiti kuadrin ligjor e rregullator për fushat e përgjegjësisë së institucionit, foli për nxitjen e transparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike, për rritjen e përgjegjshmërisë dhe masave tekniko-organizative për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve, për aspekte e procese konkrete të punës apo dhe për veprimtarinë ndërgjegjësuese për respektimin e këtyre dy të drejtave. Aktiviteti u mbajt si pjesë e projektit “Mjetet dhe institucionet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri” që Fakulteti i Drejtësisë po zhvillon me studentët e tij.

Zyra e Komisionerit i kushton rëndësi ndërveprimit dhe bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë në kuadër të veprimtarisë mësimore akademike/didaktike të të rinjve, si një mundësi për zgjerimin e njohurive të tyre dhe përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *