Java e integritetit, forum në Fakultetin e Drejtësisë

Në kuadër të “Javës së integritetit”, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, organizuan një forum diskutimi në mjediset e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Në këtë aktivitet morën pjesë ekspertë të politikave antikorrupsion, të së drejtës për informim, si edhe studentë e staf akademik. Njëkohësisht, në takim ishin edhe përfaqësues nga Zyra Rajonale për Evropën Juglindore e UNODC (struktura kundër drogës dhe krimit), e cila jep një kontribut në mbështetjen e zbatimit të Konventës së OKB kundër korrupsionit në vendin tonë.

Të pranishmit u njohën me rolin dhe funksionet e koordinatorit kombëtar kundër korrupsionit, si dhe me kuadrin ligjor që garanton transparencën e autoriteteve publike dhe ushtrimin e të drejtës për informim nga qytetarët. Rritja e integritetit dhe përgjegjshmërisë së institucioneve nëpërmjet zbatimit të mekanizmave rregullatore të fushës nxit aksesin në informacion/dokumentacion me karakter publik dhe ndikon në mirëqeverisje. Po ashtu edhe përfaqësuesit e Zyrës së UNODC prezantuan veprimtarinë e tyre për sa i përket luftës kundër korrupsionit në rajonin e Evropës Juglindore.