Së bashku për transparencën e autoriteteve publike

Me ftesë të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u zhvillua një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe medias investigative. Aktiviteti kishte për qëllim të bënte një bilanc të veprimtarisë së zhvilluar në këtë fushë përgjatë vitit 2023, risitë e ndryshimeve në legjislacionin për të drejtën e informimit, si dhe shtimin e përpjekjeve për konsolidimin e kulturës së përgjegjshmërisë e të transparencës së autoriteteve publike.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi, theksoi në fjalën e tij se “komunikimi i vazhdueshëm me OjF, subjektet e medias investigative apo grupet e interesit është një praktikë e konsoliduar pune për institucionin. Ne kemi një mision të përbashkët dhe arritja e objektivave duhet të bazohet mbi frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit të të gjithë faktorëve që kontribuojnë për t‘i bërë më transparente autoritetet publike shqiptare.”

Zyra e Komisionerit prezantoi ndryshimet dhe përmirësimet në ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, që kanë hyrë në fuqi në fillim të muajit nëntor 2023, proces ky i konsultuar gjerësisht me shoqërinë civile, organizatat e medias investigative dhe grupet e intertesit. Këto risi kanë përmirësuar akoma edhe më shumë standardet dhe praktikat kombëtare në këtë fushë, duke i sjellë ato gjithnjë e më pranë atyre më bashkëkohore evropiane e ndërkombëtare. Ndër përmirësimet kryesore të legjislacionit janë ato mbi konsolidimin e kompetencave të institucionit; detyrimin e autoritetit publik për zbatimin e vendimmarrjes së Komisionerit; përcaktimin e përgjegjësive të çdo nëpunësi për mospërmbushjen e dispozitave të kuadrit ligjor të kësaj fushe; forcimin e rolit të koodrinatorit brenda strukturës së autoritetit publik; mbi përditësimin periodik të Programit të Transparencës dhe Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, apo rishikimin me ulje të kufijve të poshtëm të sanksioneve administrative për mospërmbushjen e detyrimeve ligjore që kanë vendosur një raport më të drejtë dhe proporcional me të ardhurat në administratë.

Të pranishmit vlerësuan punën dhe qasjen e Zyrës së Komisionerit dhe trajtuan çështje e problematika konkrete që janë të ndjeshme në veprimtarinë e tyre. Nga ana tjetër, u diskutua për shfrytëzimin e të gjitha mundësive për të ndikuar në rritjen e edukimit dhe ndërgjegjësimit të autoriteteve publike në përmbushjen e detyrimeve për ushtrimin plotë të të drejtës për informim.