3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Komisioneri Dervishi zhvillon takime me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Mbrojtja e të dhënave personale në optikën e bashkëpunimit ndërkombëtar ishte në fokus të takimeve të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, me zyrtarë të lartë të institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këto takime ishin pjesë e agjendës së “Ditës së Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave”, në kuadër të Samitit Vjetor të Privatësisë, organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Profesionistëve të Privatësisë (International Association of Privacy Professionals – IAPP). Në to morën pjesë, gjithashtu, edhe Komisionerët e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Kanadasë, Presidentja e Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB), Supervizori Evropian i Mbrojtes së të Dhënave (EDPS), si dhe përfaqësues të shquar të shoqërisë civile.

Me z. Rohit Chopra

Si pjesë e kësaj agjende, u zhvillua dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë, që u bashkëdrejtua nga z. Rohit Chopra – Drejtor i Byrosë së Mbrojtjes Financiare të Konsumatorëve, znj. Deirdre Mulligan – Zv/shefe për Teknologjinë në Zyrën e Shtëpisë së Bardhë për Politikat e Shkencës dhe Teknologjisë dhe znj. Becky Richards – Shefe e të Drejtave Civile, Privatësisë dhe Transparencës në Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare; me pjesëmarrjen edhe të z. Peter Winn – Zv/shef i Privatësisë dhe të Drejtave Civile në Departamentin e Drejtësisë dhe znj. Neema Singh Guliani – Zv/ndihmëse Sekretare për Shërbimet e Industrisë dhe Analizën në Departamentin e Tregtisë. Diskutimet u fokusuan në çështje të rëndësishme, duke marrë në konsideratë përparimin teknologjik, flukset e të dhënave personale në një ekonomi të ndërlidhur globalisht dhe sfidat për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre.

Po ashtu, u zhvillua edhe një pritje në Komisionin Federal të Tregtisë nga kreu i tij, znj. Lina Khan, ku zyrtarët e lartë patën rastin të diskutonin për intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e eksperiencave më të mira dhe përmirësimin e kuadrit rregullator për standardet më bashkëkohore në mbrojtjen e të dhënave personale.