E drejta për informim, forcim i kulturës së transparencës së autoriteteve publike

Njohja me kuadrin ligjor të fushës së të drejtës për informim, ishte në qendër të trajnimit të organizuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në të ishin të pranishëm një grup koordinatorësh të autoriteteve të ndryshme publike, qendrore apo njësive të vetëqeverisjes vendore, të emëruar së fundi në këtë detyrë. Në këtë aktivitet u prezantua korniza e detyrimeve që burojnë nga ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar dhe ligji 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”.

Stafi i Zyrës së Komisionerit, nëpërmjet rasteve nga  praktika, i njohu pjesëmarrësit me rregullat për ushtrimin e të drejtës për të kërkuar informacion/dokumentacion me karakter publik dhe procedurën e ankesës; mbi përmbajtjen dhe përditësimin e vazhdueshëm të Programit të Transparencës, si dhe për rolin dhe veprimtarinë e koordinatorit në përmbushje të dispozitave ligjore. Nga ana tjetër, ata u njohën me risitë dhe konceptet kryesore të ligjit 33/2022, i cili ka transpozuar direktivën e BE me të njëjtën emërtesë, duke i ngarkuar një kompetencë të re Zyrës së Komisionerit në monitorimin/mbikëqyrjen dhe promovimin e kësaj të drejte. Ky akt i shtrin efektet mbi një sërë kategorish informacioni që prodhohet/mbahet nga organet/sipërmarrjet e sektorit publik, të tilla si: të dhëna kërkimore-shkencore, strategji, raporte, statistika, harta, matje, vendime/rekomandime, etj. Nëpërmjet këtij ligji garantohet një politikë e qartë dhe e posaçme, duke inkurajuar mundësinë e ripërdorimit të informacionit të sektorit publik në funksion të zhvillimit ekonomik.