|

Takimi në Shkodër me strukturat vendore arsimore për mbrojtjen e të dhënave personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vlerëson si shumë të rëndësishëm procesin e ndërgjegjësimit dhe promovimit të një kulture shoqërore që ka si vlera parësore garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës në Shqipëri të Organizatë për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u zhvillua në mjediset e gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër aktiviteti për prezantimin e gjetjeve të Rekomandimin Unifikues “Mbi respektimin e detyrimeve ligjore në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale për kontrolluesit e arsimit të mesëm të lartë”. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë, si dhe nga të gjitha strukturat vendore arsimore (ZVA) në varësi të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Lezhë, mësues, psikologë, prindër dhe nxënës.

Zyra e Komisionerit thekson se zhvillimi i të të tilla takimeve rajonale ka ndikim në nxitjen e ndërveprimit në funksion të misionit për edukimin sa më cilësor të brezit të ri. Në këtë Rekomandim janë evidentuar problematika që kanë të bëjnë më zbatimin korrekt të legjislacionit të fushës, sidomos, për rritjen e masave të sigurisë dhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave personale, veçanërisht gjatë përdorimit të rrjeteve sociale dhe platformave teknologjike. Një kujdes i posaçëm, duhet t’i kushtohet të dhënave personale të fëmijëve/nxënësve nën 18 vjeç (të mitur), për të shmangur pasojat e rënda që mund të vijnë për shkak të publikimit online të të dhënave të tyre. Njëkohësisht, Zyra e Komisionerit prezantoi edhe parimet e modulit trajnues “Mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë gjatë lundrimit në internet”, të hartuar nga institucioni. Ky dokument u shërben strukturave arsimore për përdorimin e duhur të rrjeteve sociale, kujdesin për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale, si dhe rëndësinë e sigurisë online nga rreziqet që ndeshen në mjedisn digjital.