Projekti i Bashkimit Evropian për Qeverisjen e Mirë mbështet Zyrën e Komisionerit

Projektit “Bashkimi Evropian për Qeverisjen e Mirë” synon që nëpërmjet standardeve bashkëkohore komunitare të rrisë nivelin e transparencës në veprimtarinë e administratës publike shqiptare dhe të nxisë akoma më shumë luftën kundër korrupsionit. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është një nga përfituesit pjesë e Komponentit të 4-t të këtij projekti. Nga zbatimi i tij pritet forcimi i kapaciteteve administrative dhe profesionale jo vetëm i stafit të institucionit, por edhe i autoriteteve publike dhe grupeve të interesit për zbatimin e kuadrit të modernizuar ligjor të të dy fushave të përgjegjësisë.

Në mjediset e Zyrës së Komisionerit u zhvillua ceremonia e lançimit të këtij projekti, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Delegacionit të BE në Shqipëri dhe ekspertëve të tij. Tre komponentët e projektit janë:

  • forcimi i kapaciteteve institucionale dhe koordinatorëve për të drejtën e informimit për zbatimin efektiv të ligjit nr. 45/2022 “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për aksesin në dokumente zyrtare” (Konventa 205) dhe ligjit nr. 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”;
  • ofrimi i asistencës për të garantuar zbatimin efektiv të Konventës së modernizuar të Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale” (Konventa 108+), përfshirë në legjislacionin shqiptar me miratimin e ligjit 49/2022;
  • mbështetje koordinatorëve për të drejtën e informimit, gjithashtu, institucioneve qendrore dhe vendore, për të përmirësuar trajtimin e kërkesave për informacion për një zbatim më efektiv të ligjit për të drejtën e informimit.

Për Zyrën e Komisionerit asistenca e BE është e rëndësishme në funksion të konsolidimit të veprimtarisë institucionale për garantimin e ushtrimit praktik të të drejtave nga qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike. Ky projekt është, gjithashtu, konfirmim i bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri me Zyrën e Komisionerit, në kuadër edhe të procesit të integrimit, për shkak të rolit dhe kontributit kryesor që institucioni ka në këtë kontekst.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë