Tryezë diskutimi me organizatat e shoqërisë civile dhe mediat

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi sot më 21.1.2025 takimin e përvitshëm me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe medias investigative.

Në fokus të takimit ishte pasqyrimi i veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit përgjatë vitit 2024 dhe bashkëpunimi me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe organizatat e medias në kuadër të shtimit të përpjekjeve për konsolidimin e kulturës së llogaridhënies dhe transparencës së autoriteteve publike.

Në këtë aktivitet, i cili përkon edhe me 10 vjetorin e zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, Komisioneri z. Besnik Dervishi,  vlerësoi bashkëpunimin e deri tanishëm  dhe ndërveprimin me organizatat e shoqërise civile dhe median, ndërsa garantoi se institucioni që ai drejton ka qënë dhe mbetet i angazhuar për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së autoriteteve publike.

Gjatë fjalës së tij, z. Dervishi bëri një bilanc të punës dhe arritjeve të Zyrës së Komisionerit, duke e konsideruar një moment të rëndësishëm mbajtjen e  Konferencës VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit, në qershor 2024, e cila sipas tij shënoi nisjen e një momenti të ri bashkëpunimi me autoritetet publike, në funksion të transparencës dhe luftës kundër korrupsionit. Në këtë kuadër, ai përmendi ngritjen dhe funksionimin e platformës “Transparent Albania”, si një mjet që promovon llogaridhënien dhe ofron informacion të plotë mbi veprimtarinë e autoriteteve publike.

Komisioneri Dervishi u ndal edhe te prezantimi i raportit paraprak “Mbi vlerësimin bazë për zbatimin e Konventës të Këshillit të Evropës “Për aksesin në dokumentet zyrtare nga Shqipëria”, duke theksuar se forcimi i transparencës së autoriteteve publike nëpërmjet zbatimit të praktikave më të mira evropiane dhe ndërkombëtare është rruga e duhur për përfshirjen e publikut në qeverisje, duke shërbyer edhe si nxitje për ushtrimin e kësaj të drejte nga qytetarët.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u shpreh se gjatë vitit 2024, Zyra e Komisionerit ka marrë 1025 ankesa, ku për 616 prej tyre informacioni/dokumentacioni i kërkuar u është vënë në dispozicion ankuesve, pas ndërhyrjes së institucionit që ai drejton. Z. Dervishi bëri të ditur se ankesat janë paraqitur nga qytetarë, përfaqësues të medias, të shoqërisë civile, përfaqësues ligjorë, etj.

Drejtoresha e Përgjithshme e të Drejtës për Informim znj. Elona Hoxhaj, tha se  vlerësimi i Grupit të Ekspertëve lidhur me zbatimin e Konventës të Këshillit të Evropës për Aksesin në Dokumentet Zyrtare nga Shqipëria është në përgjithësi shumë i mirë. Ndërsa në lidhje me analizën për vlerësimin e ndikimit në transparencë për autoritet publike duhet mbajtur parasysh nevoja për rritjen e kapaciteteve të Zyrës së Komisionerit për të bërë këto monitorime të thelluara.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medias investigative vlerësuan punën dhe angazhimin e Zyrës së Komisionerit, si edhe diskutuan mbi problematikat apo vështirësitë që hasin gjatë punës së tyre në sigurimin e informacionit nga autoritetet publike. Ata sugjeruan se krahas forcimit te kulturës së transparencës, duhen gjetur mekanizma shtesë për të thjeshtuar dhe për të bërë sa më të zbatueshëm ligjin, në mënyrë që autoritetet të jenë sa më efikase në dhënien e informacionit të plotë dhe në kohë.