Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave, aktivitet ndërgjegjësues me nxënës, prindër dhe mësues

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me rastin e 28 Janarit, Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, apo siç njihet ndërkombëtarisht “Privacy Day”, organizoi një aktivitet ndërgjegjësues mbi rëndësinë e respektimit të privatësisë, ruajtjes dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Aktiviteti u zhvillua në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet dhe mblodhi bashkë drejtues të shkollave të arsimit të mesëm të lartë, mësues, nxënës dhe prindër.

Në fjalën e tij, Komisioneri z. Dervishi, vuri në dukje rëndësinë e ndërgjegjësimit të të rinjve për sigurinë e të dhënave personale, si edhe qasjen e ruajtjen e këtyre të dhënave edhe përballë ekspozimit që mund të sjellë teknologjia. Duke risjellë në vëmendje se ky vit është vit zgjedhor, Komisioneri u bëri apel të rinjve të cilët do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar të tregohen të kujdesshëm më të dhënat e tyre personale.

I ftuar në këtë aktivitet ishte dhe Zëvendës Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës (KiE) z. Olsi Dekovi, i cili theksoi se të dhënat personale, perfshirë dhe në hapësirën online, janë pasuri që duhen trajtuar me shumë kujdes sidomos nga të rinjtë. Në lidhje me mbrotjen e tyre kërkohet edukim i vazhdueshëm dhe adresim në kohë i çdo cënimi të mundshëm.

Me moderimin e drejtores për mbrojtjen e të dhënave personale znj. Pjerina Mema, nxënës, prindër dhe mësues trajtuan problematikat e hasura, duke diskutuar mbi raste dhe shembuj konkretë nga jeta e përditshme. Pjesë e diskutimeve ishin rastet e cënimit të privatësisë online, bulizmi kibernetik, mesazhet keqdashëse në telefon, përdorimi pa leje i fotografive apo të dhënave të tjera personale, si edhe problematika të tjera që kanë të bëjnë me nevojën për mirëinformim dhe rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale.

Në fund të këtij aktiviteti pjesëmarrësit plotësuan edhe pyetësorin e përgatitur nga Zyra e Komisionerit rreth njohurive për mbrojtjen e të dhënave personale.

Më 28 janar 1981 Këshilli i Evropës (KiE) miratoi Konventën “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale” (e njohur si Konventa 108). Më 26 prill 2006, Këshilli i Evropës vendosi të prezantojë një Ditë për Mbrojtjen e të Dhënave, e cila do të shënohej më 28 Janar, në ditën e miratimit të “Konventës 108” nga KiE.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë