Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Sekretariati i Këshillit të Investimeve në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Investitorëve të Huaj (FIAA), organizuan një tryezë dialogu me komunitetin e biznesit mbi ndërgjegjësimin për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ligji nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.
Gjatë fjalës së tij, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, theksoi se ky ligj ka një ndikim të gjerë tek bizneset, pasi përcakton një sërë risish sa i përket detyrimeve për përpunimin e të dhënave personale. Ai theksoi nevojën që bizneset të zhvillojnë në kohë politika të brendshme për mbrojtjen e të dhënave dhe të përshtasin praktikat e tyre në përputhje me rregulloret e reja. “Risitë e ligjit të ri na diktojnë drejt një fryme të re, drejt një qasje të re, prandaj është shumë e nevojshme që ligji të kuptohet dhe zbatohet në mënyrën e duhur nga të gjithë dhe për këtë do të keni të gjithë bashkëpunimin nga ana jonë, duke shpresuar dhe uruar në vendosjen e një partneriteti luajal institucinal”, u shpreh z. Dervishi.
Në vijim, z. Balazs Revesz, President i FIAA, vlerësoi rëndësinë e këtij dialogu si një mundësi të vlefshme për të adresuar sfidat dhe përgjegjësitë që bizneset do të kenë në kuadër të zbatimit të ligjit të ri. Ai theksoi se transparenca dhe qartësia në interpretimin e dispozitave ligjore janë thelbësore, ndërsa bizneset, veçanërisht ato që përpunojnë volume të larta të dhënash, duhet të investojnë në sisteme më të sigurta dhe të përmirësojnë kapacitetet e tyre për menaxhimin e rreziqeve. Revesz nënvizoi rolin e institucioneve publike dhe organizatave të biznesit në ofrimin e udhëzimeve dhe trajnimeve të specializuara për përshtatjen me ligjin.
Gjatë diskutimit të hapur, përfaqësuesit e biznesit ndanë shqetësimet dhe opinionet e tyre mbi sfidat praktike të zbatimit të ligjit, duke theksuar nevojën për qartësi mbi rolet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore. Ata ngritën çështje lidhur me kostot shtesë që mund të krijojë zbatimi i ligjit, burimet e nevojshme për të garantuar përputhshmërinë dhe sfidat në menaxhimin e të dhënave të ndjeshme. Gjithashtu, ata kërkuan më shumë udhëzime mbi procedurat specifike për raportimin e shkeljeve, detyrimet për ruajtjen e të dhënave dhe mekanizmat e auditimit dhe mbikëqyrjes. Zyra e Komisionerit shprehu angazhimin për zhvillimin e trajnimeve me bizneset për të ndihmuar në rritjen e kuptueshmërisë mbi ndryshimet ligjore, si edhe për përgatitjen e të gjithë udhëzimeve të nevojshme në zbatim të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale.