Përfaqësues nga 14 autoritete evropiane për të Drejtën e Informimit u mblodhën në Prishtinë në Takimin e 4-t të Seminarit të Rasteve të Veçanta (Case Handling Workshop)
Nën organizimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Republikës së Kosovës, ekspertët e fushës ndanë me njëri-tjetrin eksperiencë dhe praktikat më të mira mbi shqyrtimin e rasteve konkrete me interes publik dhe aksesin në dokumente zyrtare në lidhje me to. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës, Portugalisë, Spanjës, Skocisë, Zyrës së Avokatit të Popullit Evropian, Kroacisë, Hungarisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Gjatë aktivitetit u diskutua, ndër të tjera, mbi çështje që kanë të bëjnë me transparencën në kuadër të zbatimit të legjislacionit mbi mjedisin dhe të drejtave të konsumatorit; mbi procedurat e shpenzimeve me fondet publike dhe partneritetit publik-privat; ofrimin e shërbimeve publike nëpërmjet platformave teknologjike/digjitale; trajtimin e sekretit tregtar apo të drejtës së autorit. Zyra e Komisionerit, në këtë seminar, mbajti një prezantim në lidhje me rastin e trajtimit jo të saktë të konceptit të konfidencialitetit nga autoriteti publik gjatë ushtrimit të kompetencave të tij mbikëqyrëse në raport me transparencën dhe interesin e lartë publik.