Zyra e Komisionerit mori pjesë në simpoziumin e organizuar virtualisht në kuadër të ASEAN-it (rrjeti rajonal i shteteve të Azisë Juglindore), ku u prezantuan praktikat dhe zhvillimet në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në këtë forum ndërkombëtar u theksua roli i Zyrës së Komisionerit si Presidencë dhe Sekretariat i ICIC, ndërsa u prezantuan dhe u promovuan aktivitetet dhe iniciativat e rrjetit në shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e standardeve globale për aksesin në informacion dhe transparencën. Në këtë kuadër, znj. Emerlinda Pema, Drejtore e Monitorimit të Programeve të Transparencës, prezantoi qasjen institucionale dhe zhvillimet kryesore në këtë drejtim, kryesisht duke u fokusuar në aktivitetin e rrjetit ICIC.
Gjatë prezantimit, znj. Pema theksoi dhe vuri në pah arritjet dhe zhvillimet më të fundit të rrjetit, si dhe ndau me pjesëmarrësit sfidat dhe objektivat e ardhshme.
Paneli përfshinte gjithashtu si bashkëpaneliste Komisioneren Tydd nga Australia, si dhe znj. Swati Mehta, përfaqësuese rajonale për Azinë dhe Paqësorin e OGP-së.
Pjesëmarrja në këtë simpozium konfirmon angazhimin e Zyrës së Komisionerit për të qenë pjesë aktive e proceseve ndërkombëtare, por edhe për të promovuar punën e ICIC, detyrë kjo që i lind edhe nga Karta e Johanesburgut.