Besnik Dervishi priti në ambientet e Zyrës së Komisionerit Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, në një takim ku u diskutuan zhvillimet dhe prioritetet në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Gjatë bisedës, Komisioneri Dervishi prezantoi punën dhe angazhimin e institucionit në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si një kuadër i ri ligjor i përafruar plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe sfidat që lidhen me forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe garantimin efektiv të të drejtave të qytetarëve.
Komisioneri Dervishi vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj proceseve të përafrimit ligjor dhe institucional, duke theksuar nevojën për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve njerëzore dhe financiare të institucionit, në funksion të përgjegjësive të shtuara ligjore dhe zgjerimit të fushave të përgjegjësisë.

Nga ana e tij, Ambasadori Gonzato theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale si një shtyllë e shtetit të së drejtës dhe të besimit të qytetarëve tek institucionet publike dhe private, duke nënvizuar rëndësinë e një institucioni të pavarur dhe të mbështetur me burime të mjaftueshme për zbatimin efektiv të legjislacionit në këtë fushë. Ambasadori theksoi se kontrolluesit publikë dhe privatë të të dhënave personale pritet të të ndjekin udhëzimet dhe rekomandimet e Komisionerit, në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.
Në takim morën pjesë gjithashtu Drejtorja e Kabinetit dhe Sekretarja e Përgjithshme e institucionit ndërsa nga pala e Delegacionit të Bashkimit Evropian ishin të pranishëm Z. Andre Rizzo-Drejtuesi i Sektorit Politik si dhe I Ngarkuari me Punë për Drejtësine dhe Sigurinë z. Aleksandër Romanovic.