|

Bashkëpunimi me Universitetin Mesdhetar, forcim i kulturës së ushtrimit të të drejtave të qytetarëve

Njohja e të drejtave dhe lirive themelore nga brezi i ri është një nga rrugët më efikase për kultivimin dhe zgjerimin e kulturës së ushtrimit të tyre në praktikë.

Me ftesë të Univerisitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, mbajti një leksion të hapur për studentë dhe stafin akademik të Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në këtë aktivitet u paraqit një historik i evoluimit të legjislacionit për të dy fushat e përgjegjësisë së institucionit, e ku të pranishmit u njohën me rolin, funksionet dhe veprimtarinë e tij në kuadër të monitorimit dhe mbikëqyrjes së kuadrit rregullator. Me interes për studentët ishte trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale në epokën digjitale, ku i rëndësishëm është informimi i qytetarëve nga kontrolluesit/përpunuesit për të drejtat e tyre. Nga ana tjetër, nëpërmjet shembujve nga praktika, u ofruan këshilla konkrete për sjelljen e tyre në funksion të mbrojtjes së privatësisë. Në këtë leksion të hapur, Komisioneri foli edhe për fushën e të drejtës për informim, për forcimin e transparencës proaktive të autoriteteve publike, për përgjegjshmërinë dhe integritetin e tyre në funksion të pjesëmarrjes sa më të madhe të qytetarëve në mirëqeverisje.

Bashkëpunimi i konsoliduar me institucionet e arsimit të lartë (IAL), publike e private, është një nga drejtimet kryesore të nismave ndërgjegjësuese të Zyrës së Komisionerit, të cilat zhvillohen në mënyrë periodike.