Asambleja Globale e Privatësisë (Global Privacy Assembly-GPA) zhvilloi në Stamboll edicionin e saj të 44-t, ku tematika qendrore e aktivitetit më të rëndësishëm vjetor në këtë fushë ishte: “Një çështje ekuilibri: privatësia në epokën e avancimit të shpejtë teknologjik”. Konferenca u mbajt në datat 25-28 tetor 2022 dhe u organizua nga Autoriteti Turk i Mbrojtjes së të Dhënave Personale (KVKK).
Përfaqësues nga 163 autoritete anëtare dhe vëzhguese të organizatës, në punimet e Sesionit të Mbyllur të mbajtur në datat 27-28 tetor, miratuan këto dokumente në funksion të përmirësimit të standardeve rregullatore në këtë fushë:
- Rezoluta mbi parimet dhe pritshmëritë për përdorimin e përshtatshëm të informacionit personal në teknologjinë e njohjes së fytyrës;
- Rezoluta për ngritjen e kapaciteteve të bashkëpunimit ndërkombëtar për përmirësimin e rregullores së sigurisë kibernetike dhe kuptimin e dëmeve nga incidenti kibernetik;
- Rezoluta për ndryshimin e udhërrëfyesit dhe afatit kohor për financimin e Sekretariatit të GPA.
Në punimet e Sesionit të Mbyllur u shpreh vullneti për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar në zbatimin e harmonizuar të legjislacionit, zgjerimin e kapaciteteve për realizimin e hetimeve proaktive të përbashkëta dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të praktikave më të mira. Të pranishmit diskutuan në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e “një mjedisi rregullator botëror për të dhënat personale” ashtu si dhe “perspektivën e një rregullatori rajonal në këtë fushë”. Sipas agjendës, u paraqitën dhe u miratuan raportet vjetore të Grupeve të Punës së GPA. Znj. Blanca Lilia Ibarra Cadena, Presidente e Autoritetit të Meksikës (INAI) u rikonfirmua në krye të Komitetit Ekzekutiv, forumi më i lartë drejtues i organizatës. Në Asamblenë Globale të Privatësisë u anëtarësuan me të drejta të plota Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave të Kenias; Autoritetet e Transparencës, Aksesit në Informacion dhe Mbrojtje së të Dhënave të shtetit Leoni i Ri dhe Miçoakan në Meksikë; Këshilli i Transparencës dhe Mbrojtjes së të Dhënave të Andaluzisë në Spanjë dhe Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Kalifornisë në SHBA. Ndërsa statusi i vëzhguesit iu akordua organizmave të mbrojtes së fëmijëve (UNICEF) dhe ushqimit (WFP) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara; Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të Danimarkës dhe Zyrës së Privatësisë së Informacionit të Nju Jorkut në SHBA.
Sesioni i Hapur i zhvilloi punimet në datat 25-26 tetor dhe diskutimet u përqendruan në 8 panele të ndryshme, ku u diskutua mbi tema me shumë interes për komunitetin e profesionistëve të privatësisë dhe më gjerë. Me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të botës akademike, shoqërisë civile, biznesit, medias etj, së bashku me ata të autoriteteve anëtare/vëzhguese të GPA, u fol për sfidat e inteligjencës artificiale në raport me legjislacionin, etikën dhe demokracinë; shqetësimet në lidhje me përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës; ndërveprimin ndërmjet të drejtave të konsumatorit, konkurrencës dhe privatësisë, rolin e sektorit privat në përdorimin e teknologjive të mbikëqyrjes, apo të dhënat e mëdha (big data) në këndvështrimin e privatësisë. Me interes u ndoq edhe trajtimi i temave që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen masive në rrjet; blockchain dhe metaverse – privatësia dhe mbrojtja e të dhënave; raporti i besimit mes digjitalizimit dhe privatësisë; kuadri rregullator për të dhënat ndërkufitare dhe efikasiteti i mekanizmave të zhvilluar për transferimin e këtyre të dhënave. Ndërkohë, që vëmendje iu kushtua edhe diskutimit për rreziqet e privatësisë për grupet e cenueshme; mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijëve në epokën digjitale, si dhe bashkëpunimin për menaxhimin e fatkeqësive/krizave dhe ndihmën humanitare.
Në punimet e Sesionit të Hapur të GPA u mbajt edhe ceremonia e akordimit të Çmimit “Giovanni Buttarelli”, ku këtë vit në vlerësimi të kontributit të saj të çmuar në këtë fushë ai ju dha znj. Elizabeth Denham, ish-Komisionere e Britanisë së Madhe.
Më shumë rreth GPATurkiye.