Me tematikë qendrore “Adresimi i sfidave të medias shqiptare, mbështetje investigimit, raportimit, luftimi i dezinformimit dhe promovimi i sigurisë së gazetarëve”, u mbajt në Tiranë “Forumi i 8-të për zhvillimin e medias”. Organizator i këtij aktiviteti është prezenca në Shqipëri e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Komisoneri, z. Besnik Dervishi, ishte i ftuar në sesionin e dytë të takimit që u fokusua te “Rritja e dezinformimit dhe propagandës”, me pjesëmarrjen e ekspertëve të huaj dhe përfaqësuesve të medias shqiptare. Në fjalën e tij ai theksoi se Zyra e Komisionerit duhet konsideruar si partnere e medias, ndërsa vlerësoi se “zhvillimi i shpejtë i komunikimit në internet dhe në vazhdimësi, pasurimi i shërbimeve online kanë ofruar një mori digjitale burimesh për publikun. Gama e informacionit është e larmishme, e përmirësuar dhe me shtrirje më të madhe. Megjithatë, rritja e shpejtë e dezinformatave dhe propaganda kanë paraqitur sfida të reja për median, publikun, institucionet dhe komunitetin në përgjithësi. Këto sfida kanë nevojë për një përpjekje bashkëpunuese nga ana e gazetarëve dhe autoriteteve publike, për t’i adresuar këto dobësi në komunikim”.
Në seancën e pyetje-përgjigjeve të këtij sesioni u trajtuan çështje të zbatitmit të të drejtës së informimit në praktikë dhe për forcimin e bashkëpunimit mes medias dhe autoriteteve publike, për t’i ofruar publikut informacion të plotë, të saktë dhe të vërtetë.