Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me ambasadën e Britanisë së Madhe, zhvilluan takimin e katërt të iniciativës “Ditët e Transparencës”, me autoritete publike të qarkut të Kukësit. Ky aktivitet kishte si objektiv vlerësimin e ecurisë të zbatimit të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit” me qëllim garantimin e kësaj të drejte dhe nxitjen e transparencës proaktive e llogaridhënies së institucioneve publike.
Në takim morën pjesë znj. Elona Hoxhaj, Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme për të Drejtën e Informimit, z. Alastair King-Smith, Ambasador i Britanisë së Madhe në Shqipëri, z. Ali Hallaçi, Prefekt i Qarkut, z. Safet Gjici, Kryetar i Bashkisë Kukës, si dhe drejtues/përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore, të institucioneve të sistemit të drejtësisë, strukturave rajonale të institucioneve të varësisë dhe koordinatorët e tyre për të drejtën e informimit.
Përmbushja e detyrimeve rregullatore në këtë fushë është faktor përmirësues edhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve që këto autoritete publike ofrojnë për qytetarët. Nga monitorimi periodik dhe analiza e situatës, Zyra e Komisionerit konstaton domosdoshmërinë për efektivitet më të madh në përditësimin e Programit të Transparencës dhe Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve, në të gjithë elementët e tyre përbërës. Në takim u kërkua nga koordinatorët angazhim për rritjen e cilësisë në procesin e trajtimit të kërkesave për informacion nga qytetarët apo grupet e interesit, si dhe u garantua bashkëpunim konstant me ta për forcimin e kulturës së transparencës.
Stafi i Zyrës së Komisionerit shpërndau për qytetarët materiale ndërgjegjësuese për ushtrimin në praktikë të të drejtës për informim, në disa stenda informuese.