3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Transparenca proaktive e Autoriteteve Publike

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi dy takime në funksion të përmirësimit të transparencës proaktive dhe rritjes së llogaridhënies së Autoriteteve Publike.

Aktiviteti i organizuar me Sekretarët e Përgjithshëm të ministrive dhe koordinatorët e të drejtës për informimit të këtyre institucioneve pati në fokus përmbushjen e detyrimeve ligjore për garantimin e të drejtës për informim dhe funksionalizimin e plotë të Programit të Transparencës, sipas modelit të miratuar në 18.12.2020. Objekt diskutimi ishin konstatimet e Zyrës së Komisionerit gjatë monitorimeve të kryera, ku kryesisht problematik mbetet plotësimi me informacion i të gjithë rubrikave të Programit të Transparencës. Ky instrument është nga burimet kryesore të informacionit për publikun apo grupet e interesit dhe shpreh nivelin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së Autoriteteve Publike. Në takim u trajtua edhe çështja e përmirësimit të procesit të kthimit të përgjigjeve për kërkesat për informacion në afat dhe në përmbajtje, ndërsa, u theksua edhe forcimi i rolit të koordinatorit nëpërmjet rritjes së aksesit brenda strukturës së Autoritetit Publik.

Aktiviteti i organizuar me Kryetarët e Bashkive apo funksionarë të tjerë të lartë, si dhe me koordinatorët e të drejtës për informim pati në fokus problematika që lidhen me transparencën e njësive të vetëqeverisjes vendore. Modeli i Programit të Transparencës për këtë kategori Autoritetesh Publike është i zbatueshëm prej 1 janarit 2019 dhe reflekton veçoritë e tyre në raport me shërbimet që ofrojnë për qytetarët. Nga monitorimet e vazhdueshme, Zyra e Komisionerit konstaton ende problematika në këtë drejtim, si mosnjohje e duhur e detyrimeve ligjore apo dhe mungesë e angazhimit institucional.

Zyra e Komisionerit kërkoi nga titullarët e këtyre institucioneve marrjen e masave dhe sidomos, monitorimin e vazhdueshëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore. Po ashtu, shprehu gatishmërinë për të asistuar dhe ofruar trajnime për këtë qëllim për koordinatorët apo struktura të tjera të Autoriteteve Publike.