Webinar-i i katërt i Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në kuadër të zbatimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis-in e BE” (dissemination event) u zhvillua me institucionet publike dhe subjektet private që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin shëndetësor.
Në trajnim morën pjesë mbi 50 përfaqësues nga këto organizata, të cilët u njohën me risitë e legjislacionit të ardhshëm, ndikimin që do të ketë në procesin e përpunimit të të dhënave personale, si dhe me ecurinë e zbatimit të Projektit të Binjakëzimit. Rritja e përgjegjshmërisë dhe transparencës në funksionimin e tyre ishte tjetër aspekt i rëndësishëm që u trajtua në këtë webinar. Si një nga sektorët më të mëdhenj në mbledhjen e të dhënave personale, respektimi i të drejtave të qytetarëve është i rëndësishëm për një zhvillim të qëndrueshëm të tij në tërësi dhe sidomos, në aspektin teknologjik.
Trajnerë në këtë aktivitet ishin ekspertë nga Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, CSI-Piemonte në Itali dhe të Zyrës së Komisionerit.