Njoftim për shtyp i Zyrës së Komisionerit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale po ndjek me vëmendje veprimtaritë në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021.

Zyra e Komisionerit është autoriteti monitorues dhe mbikëqyrës i zbatimit të ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të Komisionerit. Është detyrim i të gjithë subjekteve kontrollues të të dhënave personale që të përmbushin detyrimet e përcaktuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale në raport me respektimin e të drejtave të qytetarëve në procesin e përpunimit të këtyre të dhënave.

Kohët e fundit nga organe mediatike është informuar se subjekte të ndryshme politike kanë intensifikuar komunikimet elektronike me qytetarët në kuadër të fushatës zgjedhore. Zyra e Komisionerit, në zbatim të kompetencave të saj, po e monitoron situatën në vijimësi dhe do të vlerësojë çdo rast të cenimit të të drejtave të subjekteve të të dhënave personale.

Në këtë kontekst, ftojmë të gjithë subjektet e përfshira në procesin zgjedhor të tregohen të vëmendshëm, proporcionalë dhe të përgjegjshëm në përpunimin e të dhënave personale.

Subjektet politike dhe çdo kandidat i tyre, duhet në çdo kohë të zbatojnë parimet e mbrojtjes të të dhënave personale për përpunimin e të gjitha të dhënave personale që grumbullojnë, të tilla si emri, atësia, mbiemri, datëlindja, kodi i banesës, shtetësia dhe numri personal i identifikimit, numri i telefonit, etj dhe detyrimet e përcaktuara nga Udhëzimi i Komisionerit Nr. 35, datë 07.05.2013 “Për përpunimin e të dhënave personale për qëllime të fushatës zgjedhore”.

Zyra e Komisionerit nxit të gjithë qytetarët të jenë të ndërgjegjësuar për ushtrimin në praktikë të të drejtave të tyre, që garantohen nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale, duke denoncuar çdo rast të keqpërdorimit të tyre.