Search

Zyra e Komisionerit në edicionin e 43-të të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA)

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në punimet e edicionit të 43-të të Asamblesë Globale të Privatësisë (Global Privacy Assembly-GPA), që zhvilluan në datat 18-21 tetor dhe të organizuar nga Instituti Kombëtar për Transparencën, Informacionin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Meksikës (National Institute for Transparency, Access to Information and Personal Data Protection–INAI).

Në panelin me temë “Bashkëpunimi ndërkombëtar për zbatimin e ligjit dhe shkëmbimi i eksperiencës”, ku referuan përfaqësues të Autoriteteve të Britanisë së Madhe, Australisë, Japonisë, Kolumbisë, Hong Kongut dhe Ganës, Zyra e Komisionerit u përfaqësua nga znj. Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit të Komisionerit. Ajo solli përvojën e bashkëpunimit me Autoritetin Italian të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (Garante per la Protezione dei Dati Personali) në zhvillimin e hetimeve të përbashkëta, me fokus zbatimin efektiv të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale. Panelistët vlerësuan eksperiencën e prezantuar nga Zyra e Komisionerit, ndërsa theksuan se bashkëpunimi dy ose shumëpalësh për zbatimin e ligjit është rruga më e mirë për adresimin e problematikave që sjell zhvillimi ekonomik, veçanërisht përparimi teknologjik i viteve të fundit.