Në datat 18-21 tetor 2021 u zhvillua edicioni i 43-të i Asamblesë Globale të Privatësisë (Global Privacy Assembly-GPA). Aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i fushës i zhvilloi punimet në një format hibrid – online dhe fizikisht, kushtëzuar nga situata me pandeminë COVID-19 dhe u organizua nga Instituti Kombëtar për Transparencën, Informacionin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Meksikës (National Institute for Transparency, Access to Information and Personal Data Protection–INAI).
Në Sesionin e Mbyllur të GPA, i mbajtur në datat 20-21 tetor, morën pjesë përfaqësues nga 153 Autoritete anëtare dhe vëzhguese të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë nga mbarë bota. Në të u miratuan 5 dokumente, ku Zyra e Komisionerit ka dhënë kontributin e saj në cilësinë e anëtares së Komitetit Ekzekutiv dhe në 3 Nën-komitete të kësaj organizate:
· Rezoluta për të ardhmen e Asamblesë Globale të Privatësisë dhe Sekretariatit (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
· Rezoluta për planin strategjik 2-vjeçar 2021-23 (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
· Rezoluta për shkëmbimin e të dhënave për të mirën publike;
· Rezoluta për aksesin e qeverisë në të dhënat, privatësinë dhe sundimin e ligjit: parimet për qasjen e qeverisë në të dhënat personale të mbajtura nga sektori privat për sigurinë kombëtare dhe atë publike;
· Rezoluta për të drejtat digjitale të fëmijëve.
Në punimet e Sesionit të Mbyllur pjesëmarrësit diskutuan edhe për tematika e çështje që kanë të bëjnë me “qarkullimin e të dhënave dhe inovacionin”, “mësimet e nxjerra nga pandemia Covid-19”, “bashkëpunimin ndërkombëtar për zbatimin e ligjit dhe shkëmbimin e eksperiencës” dhe “nxitjen e inovacionit përmes angazhimit”. Po ashtu, u paraqitën dhe miratuan raportet vjetore të Grupeve të Punës të GPA, si dhe u prezantua veprimtaria e disa organizma partnere.
Znj. Blanca Lilia Ibarra Cadena, Presidente e Autoritetit të Meksikës (INAI) u zgjodh në krye të Komitetit Ekzekutiv të GPA me një mandat 2-vjeçar. Ajo zëvendëson në këtë detyrë znj. Elizabeth Denham, Komisioneren e Britanisë së Madhe, pas përfundimit të mandatit dhe drejtimit për 3 vjet të forumit më të lartë drejtues të organizatës.
Asambleja Globale e Privatësisë ka akorduar për herë të parë në këtë edicion Çmimin “Giovanni Buttarelli”, i cili iu dha znj. Shoshana Zuboff, profesore në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Harvardit në SHBA, për kontributin e dhënë në këtë fushë nëpërmjet bashkë-autorësisë në librin “Në epokën e mbikëqyrjes kapitaliste” (In the age of surveillance capitalism). Çmimi është njohje për trashëgiminë e lënë nga z. Buttarelli në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë.
Në Asamblenë Globale të Privatësisë u anëtarësuan me të drejta të plota Zyra e Komisionerit të Informimit të Kuinslendit në Australi dhe Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave të Fondit të Tregut Botëror të Abu Dabit. Nga ana tjetër, statusin e vëzhguesit në GPA e morën 8 institucione dhe organizata: Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes së të Dhënave të Brazilit; Bordi i Privatësisë e të Drejtave Civile dhe Byroja për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Autoriteti i të Dhënave dhe Inteligjencës Artificiale të Arabisë Saudite; Ministria e Transportit dhe Komunikacionit dhe Zyra e Mbrojtjes së të Dhënave të Qendrës Financiare nga Katari; Forumi i Autoriteteve të Privatësisë Azi-Paqësor; si dhe Instituti Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut.
Në Sesionin e Hapur, që i zhvilloi punimet në datat 18-19 tetor, u trajtuan tema me interes për komunitetin e profesionistëve të fushës dhe më gjerë. I ndarë në 5 panele kryesore, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të botës akademike, shoqërisë civile apo biznesit, së bashku me ata nga Autoritetet anëtare/vëzhguese të GPA, u diskutua për “mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtat e njeriut, survejimin masiv nëpërmjet njohjes së fytyrës dhe analizën e të dhënave masive” dhe për “promovimin e qasjes etike në funksionimin e organizatave”. Gjithashtu, u trajtuan nga të pranishmit edhe temat “e ardhmja e privatësisë dhe teknologjisë, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme”; “sfidat e përputhshmërisë, perspektiva e veprimtarisë së personit të kontaktit për mbrojtjen e të dhënave personale (DPO)”, si dhe në lidhje me “statusin e Konventës 108+ të Këshillit të Evropës dhe mundësinë për hartimin e një Traktati për Inteligjencën Artificiale”.