Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nis fazën e dytë të zbatimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis e BE”.
Projekti i Binjakëzimit në këtë komponent parashikon fuqizimin e kapaciteteve institucionale, paralelisht me procesin e përafrimit të legjislacionit të ri kombëtar për mbrojtjen e të dhënave personale me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE (GDPR) dhe Direktivën e Policisë. Për përmbushjen e objektivave në këtë fazë, të njohur me terminologjinë “trajno trajnerët” (train the trainers), tre janë elementët në fokus të Projektit:
· njohja e stafit të Zyrës së Komisionerit me legjislacionin e ri të fushës;
· rritja e kapaciteteve të institucionit për menaxhimin e kuadrit rregullator;
· shkëmbimi i njohurive dhe praktikave më të mira me autoritete partnere nga vendet e BE.
Në trajnim u diskutua për aspekte të tilla të rëndësishme të legjislacionit të ri për mbrojtjen e të dhënave, si përgjegjshmëria dhe llogaridhënia në procesin e përpunimit; vlerësimi i riskut për cenimin e privatësisë apo rolet e veçanta të përpunimit të të dhënave personale dhe ndarjen e përgjegjësive brenda organizatës/institucionit. Po ashtu, u trajtua roli dhe funksionet e nëpunësit përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave (data protection officer); qasja me parimet e privatësisë sipas parazgjedhjes dhe sipas modelit (privacy by design and by default), si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e regjistrit të aktiviteteve përpunuese.
Lektorë në këtë trajnim ishin përfaqësues me eksperiencë shumë vjeçare në këtë fushë të organizmave zbatuese të Projektit të Binjakëzimit, nga Autoriteti Italian i Mbrojtjes së të Dhënave Personale (Garante per la Protezione dei Dati Personali), CSI Piemonte dhe partnerë të tjerë. Sesionet trajnuese me stafin e Zyrës së Komisionerit janë parashikuar të vijojnë në mënyrë intensive deri fund të 6-mujorit të parë të këtij viti.